AGK shpreh shqetësimin ndaj reagimit të kryeministrit që u cilësua si ofendim i gazetarëve

AGK shpreh shqetësimin ndaj reagimit të kryeministrit që u cilësua si ofendim i gazetarëve

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës- AGK ka deklaruar se është i dëshpëruar me deklaratat e kryeministrit të vendit, Ramush Haradinajt,  i cili sot ironizoi me përgatitjen profesionale të gazetarëve.

AGK përmes një komunikate e konsideron të papranueshëm veprimin e kryeministrit, ndërkohë sipas AGK-së, që deklaratat e bëra nga ai paraqesin ofendim ndaj gazetarëve në vend.

”Duke përcjellur me shqetësim këtë deklarim të kryeministrit të ri, ne rikujtojmë se misioni i gazetarëve është që të bëjnë pyetje sa herë që ata kanë nevojë për përgjigje ndërkohë që përmbajtjen e pyetje nuk do të mund ta kontrollojë askush”, njofton AGK.

Siç bëhet e ditur në komunikatë, AGK kërkon nga kryeministri, Ramush Haradinaj që të jetë bashkëpunues me gazetarë si dhe të punojë intensivisht në rritjen e bashkëpunimit me media si dhe transparencës në qeveri.

Rikujtojmë që sot në një konferencë të mbajtur në Ministrinë e Infrastrukturës, kryeministri i sapo emëruar, Ramush Haradinaj kur u pyet nga një gazetare se “Amerikanët kanë deklaruar që nuk kanë me përkrah marrëveshje të re të demarkacionit. Çka ka me bo komisioni i ri i shënjimit të vijës kufitare?”, ai u përgjigj  duke thënë :“ju [gazetarët] shumica prej juve nuk dini të lexoni anglisht, as nuk po dini t’i kuptoni se çfarë kanë thënë, problemi është i juaji, nuk kam ndonjë koment”, derisa shtoi se “ju po raportoni pa ditë, besoni, shkoni më shumë në shkollë, shikoni çfarë po thonë ata. E kam lexuar deklaratën e amerikanëve dhe kjo që po thua ti nuk është ashtu”. /21Media