AGK: Vdekja e Rrok Berishës do të thotë humbje e madhe për gazetarinëBerisha vdiq sot

AGK: Vdekja e Rrok Berishës do të thotë humbje e madhe për gazetarinëBerisha vdiq sot

Në moshën 62 vjeçare, sot ka vdekur gazetari Rrok Berisha, i cili karrierën e gazetarisë e ka filluar në vitin 1978 në Radiotelevizionin e Prishtinës.

Për vdekjen e tij ngushëllime ka shprehur Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës

“Gazetari Rrok Berisha përmes shkrimeve politike e kishte sfiduar aparteidin etnik të instaluar nga regjimi i Milloshoviqit përgjatë viteve të 90-ta.
Rrok Berisha, gazetar, politikan dhe poet, vdiq sot në rrethana kur profesioni i tij i parë, gazetaria ka nevojë për dijen dhe përvojën e tij, për ta bërë atë të denjë për një shoqëri demokratike.
Vdekja e tij do të thotë humbje e madhe për gazetarinë dhe opinionin publik. Me këtë rast, Asociacioni i Gazetarëve të Kosovë, i shpreh ngushëllime familjarëve, të afërmeve dhe miqve të të ndjerit Rrok Berisha”, thuhet ndër tjerash në telegramin e ngushëllimit të AGK-së

Berisha ishte lindur më 5 gusht të vitit 1956 në Gllogjan të Lugut të Baranit. Ai kishte studiuar për Biologji-Kimi. Nga viti 1978 kishte punuar si gazetar në Radiotelevizionin e Prishtinës, në Programin Informativ Politik, ku aty punoi deri në vitin 1990. Nga ajo kohë e deri në përfundimin e luftës, Berisha ishte marrë me shkrime politike.

Rrok Berisha ishte edhe ndër themeluesit e Partisë Shqiptare Demokristiane. Në zgjedhjet e marsit 1998, Berisha ishte zgjedhur deputet i Parlamentit të Kosovës (për zonën e Lugut të Baranit, nga PSHDK-ja).

Berisha kishte ndihmuar në sistemimin dhe organizimin e njësiteve operative të UÇK-së në Dukagjin, të oficierëve të FARK-ut. Ai ka qenë drejtor për informim në Zyrën e Brigadës 131 të njësive operative të UÇK-së në Baran. Nga viti 2010, Berisha ishte pronar-editor i Shtëpisë Botuese Grafike “Fishta” Prishtinë. Rrok Berisha ishte baba i dy vajza, e dy djemve./21Media