Ahmeti: Delegacioni nuk është deklaruar për suspendimin e taksës

Demanton presidencën

Kreu i Prishtinës, Shpend Ahmeti ka demantuar deklaratën e presidencës se ekipi negociator është deklaruar për suspendimin e taksës. Ahmeti ka thënë se as në këtë takim, e as në tjera takime nuk është deklaruar për suspendimin dhe ka thënë se qëndrimi i SHBA-ve tashmë dihet.

“Disa media po informojnë se Delegacioni Shtetëror kinse qenka deklaruar për suspendimin e taksës. Delegacioni Shtetëror nuk është deklaruar për suspendimin e taksës. Ka qendrime te subjekteve të ndryshme dhe ato janë tashmë të njohura për publikun. Për më shumë, as unë nuk jam deklaruar për suspendimin, as në këto takime dhe as në takime tjera. Kemi folur për arsyeshmërinë e taksës dhe pse ka qenë e nevojshme. Qëndrimi i SHBA është i qartë. Edhe arsyeja e taksës është e qartë. Tash i mbetet Kosovës me vendos se cili është interesi strategjik. Çfarëdo veprimi që shihet si fitore personale dhe fitore elektorale e dëmton Kosovën dhe pozicionin negociator të saj.”, është shprehur Ahmeti në Facebook.

Pas takimit me diplomatët amerikanë, i cili ishte i mbyllur për gazetarë u bë e ditur se zyrtarët amerikanë i kanë kërkuar sërish përfaqësuesve të institucioneve të Kosovës pezullimin e taksës për t’i hapur rrugë procesit të dialogut.

“Të gjithë anëtarët e Ekipit Negociator kanë shprehur shqetësimin për veprimet agresive të Beogradit, por në të njëjtën kohë kanë shprehur edhe gatishmërinë e tyre për respektimin e këshillës së SHBA-së për suspendimin e taksës dhe rifillimin e dialogut në Bruksel.”, kështu u bë e ditur përmes një komunikate për media nga presidenca, ku u tha se në takim është diskutuar për procesin e dialogut përfundimtar ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe rreth taksës, domosdoshmërinë e suspendimit të përkohshëm të taksës dhe rifillimin e dialogut, si dhe për shtimin e përpjekjeve për arritjen e marrëveshjes gjithëpërfshirëse./21Media

Back to top button