Ahmeti e Mustafa diskutuan për rrëzimin e Qeverisë
30 Maj 2019
PSD e përkrah inicativën e LDK-së
PSD e përkrah inicativën e LDK-së
Kreu i Partisë Socialdemokrate, Shpend Ahmeti njoftoi se sot është takuar me kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafën me të cilin kanë diskutuar edhe për mocionin e mosbesimit ndaj Qeverisë Haradinaj.
“Përveç diskutimit për situaten politike në vend me Z. Mustafa diskutuam për nevojën e koordinimit opozitar në Kuvend dhe për diskutimet për inicimin e një mocioni të suksesshëm të mosbesimit”, ka njoftuar Ahmeti përmes një postimi në llogarinë e tij “Facebook”.
Ahmeti tha se PSD vazhdon të shprehë gatishmërinë për një partneritet opozitar për nisma të përbashkëta.
“Pasi që shprehem dhe sqaruam qendrimet e PSD e LDK në vijim do të intensifikojmë takimet me qëllimin e një dakordimi për strategjinë për rrëzimin e qeverisë” u shpreh tutje Ahmeti.
Për një mocion për rrëzimin e Qeverisë, nevojiten 61 nga 120 votat e deputetëve të Kuvendit të Kosovës. Ndërsa, tri partitë opozitare: LDK, Lëvizja VV dhe PSD, i kanë gjithsej 56 deputetë në Kuvendin e Kosovës./21Media