Ahmeti: Është e qartë se do të kemi një dialog intensiv

Ahmeti tha se do të krijojnë gjashtë komisione për temat që do të diskutohen gjatë dialogut

Pas takimit të thirrur nga kryeparlamentari, Kadri Veseli me ekipin negociator, Veseli dhe bashkëkryesuesi i delegacionit shtetëror, Shpend Ahmeti dolën në një konferencë për medie. Ndër tjerash, Veseli tha se ka vetëm një vendimmarrje ajo është Kosova e pavarur e sovrane, ajo është Kosova e pacenuar, ajo është njohja e Kosovës nga Serbia dhe ulësja në Kombet e Bashkuara.

Bashkëkryesuesi, Shpend Ahmeti tha se për hir të transparencës do të ndërtojnë si praktikë që para dhe pas takimeve në Bruksel të diskutohet për mesazhet që i kanë dërguar si Kosovë dhe tha se pas takimit i kanë disa objektiva të qarta.

“E para është që besoj që kemi dakordim të plotë, që për neve më nuk ka dialog teknik, ku mund të flasim për një temë masnej të shohim a po implementohet a jo. Është e qartë që ky dialog rezulton në njohje të ndërsjelltë. Në qoftë se nuk ka njohje të ndërsjelltë dhe nuk ka perspektivë anëtarësimi në OKB, atëherë patjetër se asnjëra nga këto nuk do të vlejë.”, tha Ahmeti dhe shtoi se çështjet e hapura të cilat do të diskutohen janë të pagjeturit, të zhvendosurit, pronat, çështjet ekonomike, drejtësinë trazicionale, e shumë të tjera.

Gjithashtu, ai ka treguar se kanë arritur dakordim për krijim të disa komisioneve që do të merren me temat që do të diskutohen gjatë dialogut, shkruan rtv21.tv.

“Do të krijohen gjashtë komisione si pjesë e delegacionit shtetëror, komisione për tema të ndryshme që mbulojnë të gjitha temat që do të ngriten”, shtoi ai.

Ahmeti tregoi se sot në Kosovë fillon vizitën një i dërguar nga zyra e Mogherinit, që me anëtarët e delegacionit shtetëror do të diskutojë për pritjet tona dhe posaçërisht për oraret. Është e qartë që do të kemi dialog intensiv, e qartë që po mundohemi të arrijmë një marrëveshje me Serbinë dhe tha se nuk është gatishmëri e jona për kompromise të rënda.

Sipas Ahmetit, ideja është që të kemi një emërues të përbashkët, sipas tij, duhet të jetë edhe kyçja e LDK-së në këtë proces.

“Arsyeja e krijimit të delegacionit shtetëror ka qenë të ndërtohet konsensus i përbashkët. Ne kemi dallime por ideja është që ta kemi një emërues të përbashkët që pastaj të mos kemi nevojë për presione, dhe këtu e shohim edhe kyçjen e LDK-së. Këtu po folët për Kosovën për organizimin tonë shoqëror. Po thonë qe janë të gatshëm me u ul me Vuçiqin po jo me neve, çfarë është kjo papërgjegjësi. Nuk ka pas ndonjë refuzim nga presidenti për temat që janë biseduar, ndërkohe i kemi marr edhe disa tema që kanë qenë të hapura”, u shpreh Ahmeti.

Më 8 janar, ekipi negociator ka prezantuar në Bruksel rezolutën dhe ligjin që ia përcakton rolin e këtij ekipi gjatë procesit të negociatave me Serbinë. Udhëheqësit e ekipit negociator Fatmir Limaj dhe Shpend Ahmeti thanë se para përfaqësueses së lartë të BE-së, Federica Mogherini kanë shprehur gatishmërinë për të biseduar për të gjitha temat e hapura me Serbinë si dhe për marrëveshjen finale gjithëpërfshirëse e cila do të sillte njohjen reciproke./21Media

Back to top button