Ahmeti i kundërpërgjigjet Veselit për legalizimin e objekteve pa leje

Ahmeti thotë se kjo nuk është kompetencë e nivelit qendror

Ditë më parë, kandidati për kryeministër nga radhët e PDK-së, Kadri Veseli, vizitoi disa lagje të Prishtinës për të shpalosur para qytetarëve projektin e tij për legalizimin e 350 mijë shtëpive e banesave që ende nuk kanë leje për fletat poseduese, duke e mbajtur kështu të bllokuar kapitalin e qytetarëve që arrin në rreth 10 miliardë euro.

Lidhur me këto deklarata reagoi i pari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, i cili tha se nuk i takon nivelit qendror. Sipas tij, si nivel qendror, qeveria duhet të garantojë financim shtesë për komunat për të trajtuar mbi 300 mijë ndërtime pa leje në krejt Kosovën.

“PDK po premton se do të legalizojnë ndërtimet pa leje me pagesë 1 euro për metër katror, brenda dy viteve të ardhshme.

Ligji për legalizimin e ndërtimeve pa leje i cili është dekretuar në vitin 2018, thotë:

Neni 20
Taksat
1. Taksa për legalizim të ndërtimeve pa leje të kategorisë I dhe ndërtimeve pa leje të Kategorisë II që janë shtëpi është një euro për metër katror (1€/m2).

Neni 21
Afatet
1. Aplikacionet për certifikatë legalizimi dhe për leje legalizimi për përfundim të ndërtimit dorëzohen brenda dy (2) viteve pas hyrjes në fuqi të këtij Ligji.

Neni 6
1. Komunat kanë përgjegjësinë primare për zbatimin e këtij Ligji për kategoritë I dhe II të ndërtimit si dhe ushtrojnë përgjegjësitë e përcaktuara në këtë ligj

Pra, PDK po premton diçka që është tashmë në ligj, dhe diçka që nuk është kompetencë e nivelit qendror.”, shkroi Ahmeti në Facebook.

Në anën tjetër, kryetari i PDK-së, njëherit kandidat për kryeministër tha se kjo do të jetë pjesë e planit të tij qeverisës që do të realizohet brenda 100 ditëshit të parë të qeverisjes së tij./21Media

Back to top button