Ahmeti tha se "Reketi" nuk ka skenar

Ahmeti tha se “Reketi” nuk ka skenar

“Lakmia e prish njeriun”, tha kreu i BDI-së Ali Ahmeti duke komentuar skandalin “Reket” që e çoi në paraburgim Prokuroren Speciale në largim Katica Janeva. Megjithatë lideri i integristëve nuk mendon se prapa këtij skandali qëndron ndokush që e ka planifikuar rastin.

“Populli ynë e ka një shprehje, një filozofi të jashtëzakonshme, lakmia e prish çdokë. Unë mendoj se këtu është punë lakmie dhe këtu sipas vlerësimeve të mia nuk ka të bëjë me ndonjë skenar, sepse për të hyrë në këto skema, se ka skenar këtu e s’ka aty, kjo do të thotë se duhet të largohemi nga objektivi për ta zbuluar të vërtetën”, deklaroi Ahmeti, raporton TV21.

Ai nuk e fsheh zhgënjimin nga “Reketi”, të cilin e quaji më shumë se një skandal.

“Jo vetëm që jemi të zhgënjyer por edhe të dëshpëruar sepse është një jehonë mjaft e keqe për drejtësinë. Prokuroria Speciale është zgjedhur për të luftuar krimin dhe korrupsionin dhe për të vendosur drejtësinë në vend dhe jo për të hapur pisllëqe më të mëdha”, tha ai.

Nga ana tjetër kryetari i BDI-së “Zhvatjen” e sheh edhe si një shkollë dhe mësim për më shumë përgjegjësi, ndërsa kërkoi më shumë kujdes në të ardhmen se kush po zgjidhet për Prokuror për ta luftuar krimin dhe korrupsionin.

Duke folur për vazhdimin e mëtejshëm të lëndëve të hapura nga Specialja, Ahmeti tha se këto janë çështje të drejtësisë në të cilat nuk dëshiron të ndërhyjë, por kërkoi trajtim me përgjegjësi të rastit Reket, duke e zbardhur deri në fund dhe tha se kjo ëahtë një sprovë se a do të dalë e vërteta në shesh për të cilën të gjithë janë në pritje./TV21