Ahmeti: Përgjegjësi e rëndë ligjore e politike

Ahmeti: Përgjegjësi e rëndë ligjore e politike

Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti ka deklaruar sot se vdekja e Astrit Deharit deri sa ishte në përkujdesje të shtetit, është përgjegjësi e rëndë ligjore politike.

Ai ka thënë se përgjegjësi për vdekjen e tij nuk ka marrë askush. Sipas Ahmetit ndriçimin e rastit të vdekjes së Deharit është borxh jo vetëm ndaj tij, familjes së tij, por edhe ndaj gjithë qytetarëve të Kosovës

“Nuk mundet që një qytetar i Republikës të pajtohet se mund të burgoset pa asnjë dëshmi, mund të mbahet në burg pa intervistim dhe mund të humb jetën në rrethana të tmerrshme pa sqaruar dhe pa marr përgjegjësi askush .Nuk mundet! Nuk bën të pranohet dhe nuk duhet të pranohet. Dhe nuk do ta pranojmë, derisa ta dijmë të vërtetën. Por siç e ceka në fillim. Pa marr parasysh rrethanave, Astriti ka vdekur derisa do të duhej të ishte në “përkujdesje” të shtetit. Kjo në vete është përgjegjësi e rëndë ligjore e politike.”, ka shkruar ndër tjerash Ahmeti në Facebook.

Astrit Dehari ka vdekur më 5 nëntor 2016 në Qendrën e Paraburgimit në Prizren ku po mbahej si i dyshuar për sulmin e 4 gushtit 2016 me granatahedhës në ndërtesën e Kuvendit të Kosovës.
Instituti i Mjekësisë Ligjore vdekjen e Deharit e kishte konsideruar vetëvrasje, ndërsa disa ekspertë të pavarur të ngarkuar nga familja këtë vdekje e kishin cilësuar vrasje.

Familja Dehari kishte kërkuar ekspertizë lidhur me vdekjen e tij nga instituti zviceran. Ky institut ka konstatuar se hipoteza e një vetëvrasjeje përmes mjeteve të caktuara nga mjekët ligjorë duket pak e vërtetë dhe intervenimi i një personi të tretë në proces fatal duhet të kihet parasysh./21Media