"Republika Sërpska ka refuzuar të jap leje për viza për Reprezentacionin e Kosovës U16 në basketboll"

“Republika Sërpska ka refuzuar të jap leje për viza për Reprezentacionin e Kosovës U16 në basketboll”

Përfaqësuesja e Kosovës në Basketboll U16, po rrezikon që të mos marrë pjesë në Kampionatin Evropian FIBA-U16 për shkak të vizave.

Shteti i Bosnje dhe Hercegovinës, ku mbahet ky kampionat nga 9 deri më 18 gusht, ende nuk i ka pajisur përfaqësuesit e Kosovës me viza.

Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti ka reaguar në lidhje me problemet e pajisjes me viza që kanë hasur anëtarët e Përfaqësueses U16 të Kosovës në Kampionatin Evropian FIBA –U16, që do të mbahet në Sarajevë të Bosnje dhe Hercegovinës.

Sipas Ahmetit, FIBA duhet ta dënojë Bosnjën dhe ta lejojë pjesëmarrjen e Kosovës.

“Ministri i Punëve të Jashtme të Bosnjës, që vjen nga Republika Srpska ka refuzuar më dhënë lejen për viza për Reprezentacionin e Kosovës U16 në basketboll për pjesëmarrje në Kampionatin Evropian në Sarajevë që fillon nesër. Deri kur kjo urrejtja sa mos me i leju ca djemosha 16vjeçar me lujt basketboll me bashkëmoshatarët? Çfarë dallimi me kampionatin që ne e organizuam. FIBA duhet ta dënojë Bosnjën dhe Bosnja duhet menjëherë me leju pjesëmarrjen e Kosovës.”, thuhet në reagimin e Ahmetit.

Lidhur me këtë ka reaguar Ministrja e Punëve të Jashtme të Kosovës (MPJ), duke e cilësuar si të paaryeshme vonesat në lëshimin e vizave nga shteti i Bosnjës. MPJ përmes një njoftimi ka shtuar se Kosova që tre vjet është anëtare me të drejta të barabarta e Federatës Ndërkombëtar të Basketbollit.

Kujtojmë që Bosnje dhe Hercegovina nuk e njeh pavarësinë e Kosovës. Si Bosnja, ashtu edhe Kosova, aplikojnë ndaj njëra-tjetrës regjimin e vizave.