Ahmeti: Luftimi i korrupsionit, prioritet i PSD-së

Kosova premton luftimin e korrupsionit

Kryetari i PSD-së, njëherësh kryetar i Prishtinës, Shpend Ahmeti ka deklaruar se luftimi i korrupsionit është prioriteti kryesor i Partisë Socialdemokrate. Ahmeti në një konferencë për media ka thënë se tashmë është e ditur se pa luftimin e korrupsionit, Kosova nuk mund t’i afrohet integrimit evropian.

Po ashtu, ai ka deklaruar një pjese e madhe e pasurisë së shtetit shkon mes politikës. Sipas tij, një përqindje e parasë publike nuk ka shkuar as në punësime, gjë që ka ndikuar në largimin e të rinjve nga vendi.

“Lufta kundër korrupsionit është prioriteti numër një i PSD-së dhe besojmë se duhet të jetë prioritet i të gjithëve. Ne besojmë se duhet të ndërtojmë sisteme që parandalojnë. Ne në komunën e Prishtinës besojmë dhe kur kemi folur për transparencën lokale, besojmë se është numër një. Ne publikojmë çdo dokument të komunës, çdo faturë, përfshirë edhe ato të drekave dhe darkave. Dhe, kjo është mënyra më e mirë për tu kuptuar se si mbrohet paraja publike. Ne publikojmë edhe lejet. E tash së fundi, e kemi edhe sistemin ‘kontratat e hapura’, ku shihet çdo kontratë e komunës se Prishtinës”, ka thënë ai.

Deputetja e PSD-së, Shqipe Pantina ka thënë se partitë e koalicionit qeverisës nuk kanë asnjë strategji për luftimin e korrupsionit. Në vend se të ndërtojnë një sistem të pavarur, ajo ka deklaruar se këto parti vetëm sa e kanë degraduar atë, me emërimet e gjyqtarëve e prokurorëve. Pantina ka paraqitur edhe hapat që sipas saj duhen ndërmarrë për luftimin e korrupsionit.

“Hapat që duhet ndërmarrë janë: organizimi i procesit të vettingut, një transparencë radikale në raport me proceset gjyqësore, të publikohet një platformë online për publikimin e të gjithë emrave që integrohen në sistemin e drejtësisë, dhe në fund formimi i një taskforce”, ka thënë ajo.

Ndryshe, sot edhe Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, ka përsëritur qëndrimin e tij për luftë të pakompromis kundër korrupsionit dhe dukurive të tjera negative, për çka i ka ftuar institucionet përgjegjëse që të punojnë më shumë. Duke folur para të pranishmëve në Konferencën e organizuar nga Ministria e Drejtësisë, për rishikimin funksional të sektorit të sundimit të ligjit, Veseli ka thënë se nëpërmjet korrupsionit po dëmtohen qytetarët e Kosovës, shteti dhe perspektiva e tij. “Korrupsionin mund dhe duhet ta ndalim vet, secili, pa mëshirë. Duhet ngushtuar hapësirën për njerëzit e korruptuar, që nga politikanët, nga të cilët kemi mjaft dhe flasin më së shumti. Por nganjëherë duhet sanksionuar edhe gjyqtarët e prokurorët, në mënyrë që ta kryejnë punën e tyre, ngase gjyqësori duhet të jetë i paanshëm”, ka deklaruar Veseli. /21Media 

Back to top button