Ahmeti komenton rezultatin e zgjedhjeve të 6 tetorit

Ahmeti komenton rezultatin e zgjedhjeve të 6 tetorit

Kryetari i PSD-së, njëherësh kryetar i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka thënë se tani që ka përfunduar numërimi preliminar i zgjedhjeve të 6 tetorit, porosia e votuesve ishte e qartë.

Ahmeti shpreson në certifikimin sa më të shpejtë të rezultateve dhe formimin e institucioneve për shkak të, siç thotë ai, “përgjegjësive që presin bartësit e ri të institucioneve”.

“Tani që përfundoi numërimi preliminar i zgjedhjeve të 6 tetorit, porosia e votuesve ishte e qartë. Është e qartë dhe për atë se kush duhet të jetë në pozitë e kush në opozitë. Shpresojmë në certifikimin sa më të shpejtë të rezultateteve dhe formimin e institucioneve për shkak të përgjegjësive që presin bartësit e ri të institucioneve. Çfarëdo zhagitje në certifikim është vetëm shenjë e humbësve të dobët. Çfarëdo hezitimi në koalicion nga dy partitë është në kundërshtim me deklaratat e dhëna para zgjedhjeve. Siç kam thënë natën e parë, urojmë fituesin e zgjedhjeve, Lëvizjen Vetëvendosje. Pa marr parasysh dallimeve urojmë punë të mbarë në realizimin e zotimeve që i kanë dhënë, posaçërisht me ato që pajtohemi”, ka thënë Ahmeti.

Tutje, ai ka thënë se për PSD-në, ishte një rezultat jo i kënaqshëm, por edhe porosi nga votuesit për vendimet e marra.

“Për PSD, ky ishte një rezultat jo i kënaqshëm, por edhe porosi nga votuesit për vendimet e marra. Ne edhe sot besojmë se kanë qenë vendime të drejta në interes të shtetit të cilat qytetari qartazi nuk i ka përkrah në nivelin e duhur.Ne vazhdojmë të besojmë në barazi, mirëqenie e solidaritet. Do ta përkrahim qeverinë e re në pika të interesit nacional dhe ku pajtohemi, si psh dialogu me Serbinë ku nuk ka ndryshim të kufijve e nivel të tretë të qeverisjes e deri te insistimi në rritjen e pages minimale. Por edhe do ta kundërshtojmë e monitorojmë për vendimet që nuk pajtohemi. Do ta fillojmë një rindërtim të relacionit me qytetarin për të vazhduar luftën për socialdemokraci e mirëqenie në Kosovë”, ka shkruar Ahmeti në Facebook.

Ndryshe, komisioni Qendror Zgjedhor (KQZ) ka numëruar 100 për qind të votave të rregullta për zgjedhjet nacionale të 6 tetorit./21Media