“Diplomacia ekonomike, mundësi reale e zhvillimit të Kosovës”

Hankte: Neve na duhet ekonomi që i shërben nevojave tona

Akademia Diplomatike e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës, me mbështetjen e Friedrich Ebert Stiftung FES, ka filluar “Edicionin e 5-të të shkollës pranverore për diplomatë të rinj”, me temën: “Diplomacia ekonomike, bashkëpunimi rajonal dhe integrimi nëpërmjet Procesit të Berlinit”.

Pjesëmarrësit kanë vlerësuar se përkundër sfidave, diplomatët e rinj duhet të kenë përgjegjësinë e zhvillimit të vendit dhe diplomacia ekonomike duhet shfrytëzuar si një mundësi ideale.

Me gjithë sukseset e deritashme, është theksuar se Kosova në fushën e diplomacisë vazhdon të sfidohet si në aspektin e njohjeve, po ashtu edhe në anëtarësimin e organizatave të rëndësishme ndërkombëtare.

Drejtori i Përgjithshëm i Akademisë Diplomatike, ambasador Beqir Ismaili, fillimisht ka folur për rolin e Akademisë Diplomatike në trajnimin e diplomatëve të rinj të Kosovës dhe në përgjithësi punën e këtij institucioni.

“Nuk ka më tregje lokale apo kombëtare, por të gjitha janë bërë tregje global”

Sa i përket temës së këtij edicioni të shkollës pranverore, Ismaili ka theksuar se ekonomia është bërë një shkak i madh i shfaqjes së marrëdhënieve diplomatike midis shteteve. “Nuk ka më tregje lokale apo kombëtare, por të gjitha janë bërë tregje globale, gjë që na kërkon të promovojmë interesat kombëtare të vendeve tona në tregjet botërore për t’i përfituar ato”, ka thënë ai.
Nga ana tjetër, drejtori për Kosovën i Friedrich Ebert Stiftung FES, Frank Hankte ka folur për rolin e kësaj organizate gjermane në përpjekjet e tyre për të ndihmuar shtetet në zhvillimin e demokracisë dhe ndërtimin e së ardhmes së lirë.

Ai ka folur edhe për rolin dhe përgjegjësinë e diplomatëve për zhvillimin e vendit. “Ju jeni përgjegjës për zhvillimin ekonomik dhe negociatat me investitorët e huaj. Neve na duhet ekonomi që i shërben nevojave tona”, ka thënë Hankte, thuhet në njoftimin e dërguar nga ministria e Punëve të Jashtme.

Ndërkohë, Nabil Ayad, këshilltari i jashtëm i ministrit të Jashtëm të Kosovës, ka folur për rëndësinë e bashkëpunimit ekonomik ndërmjet shteteve. Sa i përket rajonit të Ballkanit, ai ka theksuar se të gjitha ashtetet duhet t’i bashkohen BE-së dhe të kenë mabicie të tilla. “Sa i përket diplomacisë ekonomike, duhet të kemi parasysh vlerëismin e performacës. Në demokraci të gjithë duan të dijnë performancën. Në këtë rast, Qeveria është përgjegjëse për gjenrimin e të ardhurave”, ka theksuar ai.

Në emër të Qeverisë së Kosovës ka folur zëvendës ministri i Ambientit dhe Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshi. Ai ka vlerësuar organizimin e Akademisë Diplomatike. Sipas tij, Qeveria e Kosovës është duke bërë gjithçka për të qenë pjesë e BE-së dhe nuk ka alternativë tjetër. Ndërkohë, ka ritheksuar nevojën e liberalizimit të vizave për Kosovën.

“Liberaizimi i vizave duhet të jetë diçka shumë natyrale, si mundësi për të eksploruar Evropën”

Pjesë e hapjes së këtij edicioni kanë qenë edhe ambasadori i Republikës Federale të Gjermanisë dhe i Republikës së Shqipërisë në Kosovë.

Në fjalimin e tij para të pranishmëve, ambasadori gjerman në Kosovë, Christian Heldt, ka theksuar ndërtimin e shërbimit profesional diplomatik, duke u theksuar në sistemin gjerman.

Sa i përket sfidave të diplomacisë së Kosovës, ambasadori Heldt ka përmendur çështjen e njohjeve si mjaftë komplekse, pastaj anëtarësimin në OKB, NATO, etj. Megjithatë ai ka potencuar se hapja e tregjeve dhe marketingu për shtetin janë elemente shumë të rëndësishme. Ai ka folur edhe për procesin e integrimit evropian dhe liberalizimin e vizave. Sipas tij, liberaizimi i vizave duhet të jetë diçka shumë natyrale, si mundësi për të eksploruar Evropën.

Ndërkaq, ambasadori i Republikës së Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi ka vlerësuar sse paqja dhe ekonomika shkojnë bashkë. Ai ka theksuar se nevojën e krijimit të një zone të lirë qarkulluese në rajon. Ndërkohë, ai ka shtuar se Gjermania duhet të shërbejë si shpresë se ne mund ta ndërtojmë Gjermaninë edhe këtu.

Në këtë edicion po marrin pjesë personalitete të larta vendore e ndërkombëtare, si dhe diplomatë të rinj nga shtetet e rajonit dhe më gjerë.

Edicioni i sivjetëm i shkollës pranverore për diplomatë të rinj do të vazhdojë deri më 10 maj./21Media

Back to top button