Akademia Suedeze mbron çmimin për Handken

Akademia Suedeze mbron çmimin për Handken

Akademia Suedeze i ka kthyer letër Akademisë së Shkencave të Kosvës (ASHAK) e cila ka kundërshtuar ndarjen e çmimit Nobel për Letërsi ndaj Peter Handke.

Akademia Suedeze e ka mbrojtur këtë vendim duke thënë se çmimi është ndarë në pajtueshmëri të plotë me testamentin e Alfred Nobelit. Sipas Akademisë Suedeze, çmimi ndahet për arritje duke u vlerësuar vepra e jo personi.

“I nderuar Z. Kraja,

Ju faleminderit për shqetësimin tuaj të sinqertë. Komiteti i Nobel-it i ka vlerësuar qëllimet që qëndrojnë pas veprës letrare të zotëri Handke në mënyrë tjetër nga ju dhe Komiteti ka arritur në përfundimin se vendimi për dhënien e çmimit për të është në pajtim të plotë me qëllimin e shprehur në testamentin e Alfred Nobelit. Është e qartë se Handke kuptohet në mënyra të ndryshme. Çmimi Nobel ndahet për arritje. Kur një Handke shpërblehet me çmim, synimi është të vlerësohet vepra e tij e jashtëzakonshme letrare, e jo personi. Çmimi Nobel për fizikë ose kimi ndahet për zbulim, pavarësisht nga personi; çmimi në letërsi ndahet për zbulimin dhe zhvillimin e një mënyre të re të të shkruarit, pavarësisht nga personi. Vetëm vlerësimi estetik dhe asgjë tjetër përpos këtij vlerësimi është mesazhi që nënkupton ndarja e këtij çmimi.

Komiteti beson se në një shoqëri të hapur duhet të ketë vend për mendime të ndryshme për autorët dhe se duhet të ketë vend për interpretime të ndryshme dhe të arsyeshme të veprave të tyre letrare. Ne duhet të përpiqemi të respektojmë secilin, pavarësisht nga pikëpamjet e krejtësisht të ndryshme për çështje të rëndësishme. Në kuptim të kësaj që u tha gjithashtu besojmë se është e rëndësisë më të lartë në funksion të demokracisë dhe një dialogu të arsyeshëm që ne kemi vendosur të mbështetemi në gjetjet e ligjshme të gjykatave të tilla si Tribunal i Hagës. Gjetjet e Tribunalit për ne janë pjesë thelbësore e të kuptuarit të historisë tragjike të Evropës, nga e cila të gjithë shpresojmë se mund të mësojmë.

Ju sigurojmë për respektin dhe konsideratat tona më të larta.

Anders Olsson
Kryesues i Komitetit të Nobelit”, është letra e plotë e Akademisë Suedeze.

Akademia e Shkencave dhe Arteve e Kosovës me 10 tetor me anë të një letre drejtuar Akademisë Suedeze, ka kërkuar anulimin e këtij vendimi si akt mirëkuptimi e solidariteti me të gjithë popujt e botës. Në këtë letër të ASHAK ishin numëruar të gjitha ato që Handke kishte thënë për regjimin e Miloseviq.

Akademia Suedeze e Shkencave sivjet ka shpërblyer me çmimin Nobel për Letërsi, autorin austriak, Peter Handke, një mbështetës i gjenocidit dhe luftërave në ish-Jugosllavi nën regjimin e Sllobodan Millosheviqit. Ndarja e Nobelit për Handke është cilësuar vendim skandaloz nga përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës, por edhe nga njohës të letërsisë botërore./21Media