Ceremonia solemne u zhvillua me 5 e 6 tetor

Ceremonia solemne u zhvillua me 5 e 6 tetor

Siç njofton Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, Akademik Rexhep Ismajli, anëtar i rregullt i kësaj Akademie, anëtar nderi i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe anëtar i Akademisë Evropiane të Shkencave dhe të Arteve me seli në Salcburg të Austrisë, në ceremoninë solemne që u zhvillua me 5 e 6 tetor 2018 në Selinë e Akademisë në Cambridge të Massachusetts-it u shpall bashkë me një numër anëtarësh të rinj të rregullt dhe të nderit të jashtëm anëtar i jashtëm nderi i Akademisë së Arteve dhe të Shkencave të Amerikës (American Academy of Arts and Sciences).

Në këtë institucion akademik Ismajli u zgjodh në prill të këtij viti. Njoftimin e bëri të ditur vetë kryetari i Akademisë Amerikane, Jonathan F. Fanton, në të cilin shkruante:

“Ky nderim shënjon konsideratën e thellë që kanë drejtuesit e fushës suaj dhe anëtarët tanë”.

Motivimi që u lexua publikisht vinte në pah faktet se Ismajli njihet si studiues i gjuhës shqipe, i historisë së saj ashtu si dhe i gjendjes së sotme, si profesor i gjuhësisë së përgjithshme dhe i historisë së shqipes, si ish-kryetar i ASHAK-ut, etj. Në  janar po të këtij viti ai ishte zgjedhur anëtar i përhershëm nderi i Shoqatës së Linguistëve të Amerikës (Linguistic Society of America (LSA).

Akademia e Arteve dhe e Shkencave të Amerikës (American Academy of Arts and Science) është themeluar në vitin 1780 nga dijetarë të shquar të kohës në SHBA dhe anëtarë të saj kanë qenë dhe vijojnë të zgjidhen studiues, dijetarë dhe personalitete nga jeta publike nga vendi dhe bota. Një numër jo i vogël i tyre ishte fitues i Çmimit Nobel dhe i Çmimit Pulitzer.

Akademik Rexhep Ismajli ka zhvilluar veprimtari në fushën e tij në Prishtinë, ka bërë specializime në Francë dhe Gjermani, ndërsa ka mbajtur mësime për fushat e albanologjisë në Universitetin e Mynihut, në Universitetin e Lubjanës dhe ka ligjëruar në tubime shkencore në vende të ndryshme të Europës dhe të Azisë (Izrael, Kinë…). Ka bashkëpunuar ngushtë me profesorët e njohur në Prishtinë si Idriz Ajeti, Besim Bokshi e të tjerët më vonë, ndërsa kontakte bashkëpunimi ka pasur dhe vazhdon të ketë me studiues të njohur në fushat me të cilat merret, si A. Martinet (student i të cilit ishte), E. Çabej, S. Riza, E. Hamp, Sh. Demiraj, K. Topalli, S. Mansaku, B. Beci, V. Friedman, L. Newmark, N. Borecki, I Sawicka, A. Rusakov, W. Fiedler, Brian D. Joseph, L. Savoia, F. Solano, F. Altimari, M. Mandala e shumë të tjerë. Anëtar i ASHAK-ut është nga viti 1993.

Është marrë dhe me zgjerimin e bashkëpunimit të Akademisë sonë me botën akademike dhe shkencore në Evropë dhe jashtë saj. E ka përfaqësuar denjësisht Akademinë në raportet me botën shkencore. Ka qenë dhe Kryetar i Këshillit Kombëtar të Shkencës të Republikës së Kosovës (2008-2011).