Akademikët bullgarë s’e njohin maqedonishten, Zaev paralajmëroi reagime ndaj bullgarisë

Zaev apeloi deri te pala bullgare që të respektojnë vlerat evropiane

Kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev, paralajmëroi se përmes MPJ-së do të dërgojë reagim deri tek Akademia e Shkencave të Bullgarisë, e cila ka miratuar qëndrimin se gjuha maqedonase është një dialekt bullgar. Ai tha se kjo është pjesë e çështjeve maqedono-bullgare për të cilat negociohet, por apeloi deri te pala bullgare që të respektojnë vlerat evropiane dhe kjo çështje sa më shpejtë të tejkalohet

“Marrëveshja me Bullgarinë, e shihni se është e shkruar me kujdes nga të dy popujt për shkak të çështjeve të identitetit, por është nënshkruar në gjuhën maqedonase dhe bullgare, në pajtueshmëri me Kushtetutat e të dyja vendeve. Kjo, sipas kushtetutave, në vetë marrëveshjen thuhet se ende nuk është pranuar gjuha maqedonase. Kjo është çështje që gjatë zbatimit të Marrëveshjes mbeti ta zgjidhim dhe unë besoj dhe edhe një herë apeloj që nëse janë evropianë, nëse angazhohemi për demokraci evropiane, vlera dhe të drejta evropiane, atëherë sa më shpejtë këtë duhet ta tejkalojmë”, tha Kryeministri Zaev, raporton TV21

Pas publikimit të Kartës për gjuhën maqedonase nga ASHAM, e publikuar më 3 dhjetor, Akademia Bullgare e Shkencave në seancën e mbrëmshme të jashtëzakonshme, miratoi qëndrim se gjuha maqedonase nuk ekziston dhe se është vetëm “normë letrare-rajonale e gjuhës bullgare”.

“Deklaratat e anëtarëve të Akademisë ishin të njëjta dhe kategorike në mbrojtjen e fakteve shkencore që kanë të bëjnë me historinë, origjinën dhe karakterin e gjuhës zyrtare në RMV, që në Kartën e cituar janë prezantuar në mënyrë jo-korrekte dhe me shtrembërimin e terminologjisë shkencore. ABSH dhe Lidhja e akademikëve vlerësojnë se pozita e treguar e ASHAM në dokumentin e kontestueshëm është e pavërtetë, e papranueshme dhe ofenduese për raportet mes dy palëve fqinje. Në këtë aspekt edhe pozita e ABSH-së mbetet e njëjtë dhe e papranueshme – gjuha zyrtare e RMV-së, është normë letrare-rajonale e gjuhës bullgare”, thonë nga Akademia Bullgare.

Pas qëndrimit të tillë kontrovers u prononcua edhe kryetari i ASHAM, Taki Fiti, i cili tha se në Akademinë bullgare nuk pajtohen të gjithë me mohimin e gjuhës maqedonase. Ai tha se ASHAM, ka bashkëpunim të shkëlqyeshëm me Akademinë bullgare dhe se do të ulen për të biseduar për këto çështje./21Media

Back to top button