Ismet Sijarina, Sevdije Kastrati dhe Fatmir Spahiu janë tre anëtarët e rinjë që kanë marrë ftesë nga EFA

Ismet Sijarina, Sevdije Kastrati dhe Fatmir Spahiu janë tre anëtarët e rinjë që kanë marrë ftesë nga EFA

Regjisori Ismet Sijarina, drejtoresha e fotografisë Sevdije Kastrati dhe producenti e aktori i njohur Fatmir Spahiu janë tre anëtarët e rinjë nga Kosova që kanë marrë ftesë nga Akademia Evropiane e Filmit të jenë pjesë e saj.

Kështu u bë e ditur përmes një njoftimi nga Qendra Kinematografike e Kosovës në rrjetin social Facebook, ku thuhet se kjo ftesë vie pas suksesit të filmit “Nëntor i Ftohtë” i cili do të shfaqet premierë botërore javën që vjen në festivalin e famshëm të filmit në San Sebastian në Spanjë.

“Në rrafshin personal dhe profesional anëtarësimi në EFA është një arritje e madhe. Është nderë të jesh pjesë e elitës kinematografike evropiane. E falenderoj Qendrën Kinematografike të Kosovës, për nominimin që më ka bërë” u shpreh regjisori Sijarina.

Ndërkaq aktori Spahiu tha se ndjehet i privilegjuar.

“Kjo ftesë është shpërblim për punën dhe sfidat që kanë profesionet tona, jam shumë i lumtur dhe ndjehem i privilegjuar”, tha ai.

Akademia Evropiane e Filmit është themeluar në vitin 1989 me drejtorin e parë Ingmar Bergman bashkë me anëtarët tjerë themeluese si Pedro Almodovar, Lindsay Anderson, Bernardo Bertolucci, Sir Ben Kingsley, Andrzej Wajda, Wim Wenders etj.

Ceremonia e Çmimeve Evropiane të Filmit sivjet do të mbahet në Sevilla (Andalusia) të Spanjës në dhjetor të këtijë viti. EFA ka mbi 3,500 anëtarë nga mbarë Evropa, ku prej tyre Kosova ka 25 anëtarë.