AKP jep sqarime për rastin e Goleshit

Sipas AKP-së ‘MIM Goleshi’ ishte privatizuar përmes metodës spin-off special

Agjencia Kosovare e Privatizimit me anë të një komunikate ka reagon ndaj deklaratave që u dhanë gjatë ditës në një konferencë për media të mbajtur nga Oda e Afarizmit të Kosovës në lidhje me ish privatizimin e ndërmarrjes “MIM Goleshi”.

AKP e sheh të arsyeshme të ofrojë sqarimet e mëposhtme në lidhje me privatizimin e kësaj ndërmarrje si dhe në lidhje me tërheqjen e aksioneve dhe kthimin e kësaj ndërmarrje nën administrimin e drejtpërdrejt të AKP-së si pasojë e mos përmbushjes së zotimeve kontraktuale nga ana e ish blerësit.

Sipas AKP-së ‘MIM Goleshi’ ishte privatizuar përmes metodës spin-off special në fund të vitit 2007 me çmim 810,000 euro, obligimi për investime me kontratën e nënshkruar ishte në shumën 16,200,000 euro gjatë periudhës dy vjeçare, ndërsa zotimi i punësimit: 40 punëmarrës në gjashtë muajt e parë, 178 në fund të gjashtë muajve, 355 deri në fund të vitit të parë dhe 355 punëmarrës të mbahen edhe për një vit.

Këto zotime janë premtime dhe obligime kontraktuale që nuk ia ka imponuar Agjencia blerësit, por i ka dhënë vet blerësi dhe mbi këtë bazë ai ishte shpallur fitues i përkohshëm i ndërmarrjes.

Për të siguruar transparencë dhe profesionalizëm të plotë gjatë verifikimit të fakteve dhe gjendjes reale, Agjencia ka zhvilluar edhe auditim të jashtëm në këtë ndërmarrje për të parë se në çfarë niveli janë përmbushur këto zotime të blerësit, zotime këto të përcaktuara në kontratën e shitblerjes. Nga auditimi i bërë ka rezultuar se investime të dëshmuara me pagesë, gjithnjë sipas Raportit të Auditorit, janë në vlerë rreth 327 mijë euro, apo vetëm 2.01 % nga shuma e përgjithshme e zotimeve. Ndërkaq zotimi për punësim është përmbushur vetëm 12.8%.

Të dhënat e auditorëve të jashtëm dëshmojnë se ish blerësi nuk e ka respektuar kontratën e nënshkruar dhe premtimet që vet ai i ka dhënë, andaj si pasojë e kësaj dhe me qëllim të ruajtjes së ndërmarrjes, Bordi i Drejtorëve në muajin gusht të vitit 2014 ka marrë vendim për tërheqje të aksioneve dhe kthimin e ndërmarrjes nën administrim të drejtpërdrejt të Agjencisë.

Ndaj këtij vendimi të Bordit, ish blerësi ka parashtruar ankesë në Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës, dhe siç tanimë dihet publikisht, DhPGjS ia ka refuzuar si të pabazuar kërkesën ish blerësit për pezullimin e vendimit të AKP-së për tërheqjen e aksioneve, duke konkluduar se blerësi nuk i ka përmbushur dy kushtet themelore kontraktuale: (1) Zotimi në investim dhe (2) Zotimi në punësim, edhe përkundër afateve shtesë të dhëna nga Agjencia.

Gjykata ka konstatuar se vendimet e atakuara të marra nga AKP-ja janë të bazuara në ligj dhe se vendimet e AKP-së për të tërhequr aksionet duke rimarrë kontrollin mbi kompaninë janë lëshuar në përputhje me rregullat procedurale në fuqi.

Në ndërkohë, edhe Kolegji i Apelit i Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme ka nxjerrë një vendim në lidhje me kërkesën e ish blerësit për caktimin e masës së përkohshme. Kolegji i Apelit i Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës për çështje që lidhen me AKP-në, në ankesën e paditësit të parashtruar kundër Aktvendimit të Kolegjit të Specializuar të DhPGjS, pas seancës vendimmarrëse, e ka refuzuar si të pabazuar ankesën e ish blerësit, ndërkaq e ka vërtetuar Aktvendimin e Kolegjit të Specializuar.

Ish blerësi më pas ka parashtruar kërkesë edhe në Gjykatën Kushtetuese për vlerësimin e kushtetutshmërisë së Aktvendimit të Kolegjit të Apelit Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme me numër reference AC-I-14-0357-A0001 në lidhje me MIM Golesh – Magure Lipjan.

Parashtruesi i kërkesës e ka kontestuar Aktvendimin e datës 5 shkurt 2015 të Kolegjit të Apelit të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme nr. AC-I-14-0357-A0001 për çështjet që lidhen me Agjencinë Kosovare të Privatizimit, me çka ishte refuzuar kërkesa e paditësit për vendosjen e masës së përkohshme. Ndërsa Gjykata Kushtetuese, me aktvendimin e saj KL18/15, e ka shpallur të papranueshme kërkesën e parashtruesit si dhe e ka refuzuar përfundimisht kërkesën e paditësit për vendosjen e masës së përkohshme.

(Aktvendimin e Gjykatës Kushtetuese nr. KL18/15 mund ta gjeni në ueb faqen zyrtare të këtij institucioni).

Ndërmarrja ‘Miniera&Industria e Magnezitit Golesh’ tani është nën administrim të drejtpërdrejt të Agjencisë, përderisa tanimë po shqyrtohen mundësitë e funksionalizimit të ndërmarrjes “MIM Golesh”, e për çka AKP po koordinohet me Qeverinë e Republikës së Kosovës, në mënyrë që të shfrytëzohen mundësitë që ofrohen përmes Ligjit për Investime Strategjike. Agjencia Kosovare e Privatizimit siguron opinionin publik se do të veprojë konform obligimeve ligjore që dalin nga Ligji i AKP-së.

Back to top button