AKP shpalli rezultatet e shitjeve përmes likuidimit

Për 80 asete sa ishin në shitje përmes kësaj vale të tenderuar gjithsej u pranuan 110 oferta

Agjencia Kosovare e Privatizimit AKP sot në ceremoninë e hapjes së ofertave të shitjeve nr. 34 përmes metodës së likuidimit shpalli çmimet më të larta të ofruara për asetet e ndërmarrjeve shoqërore që ishin në dispozicion për shitje.

Për 80 asete sa ishin në shitje përmes kësaj vale të tenderuar gjithsej u pranuan 110 oferta, dhe vlera e tërësishme e ofertave më të larta ishte 3,919,412 euro.

Dorëzimi i ofertave nga investitorët, hapja e ofertave dhe publikimi i rezultateve u bënë në mënyrë transparente, para përfaqësuesve të mediave, përfaqësuesve të Odës Ekonomike të Kosovës dhe Odës së Avokatëve të Kosovës si dhe investitorëve të pranishëm.

Agjencia Kosovare e Privatizimit, është organ i pavarur i themeluar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës dhe është e shtrirë dhe vepron në të gjithë territorin e vendit. Agjencia ka mandatin dhe autoritetin për shitjen ose bartjen e këtyre ndërmarrjeve dhe/ose aseteve investitorëve private-blerësve, ose likuidimin e tyre, gjithnjë përmes një procesi të hapur, transparent, konkurrues dhe pa vonesa./21Media

Back to top button