Për 9 muaj 25 të vdekur vetëm në Rajonin e Prishtinës

Për 9 muaj 25 të vdekur vetëm në Rajonin e Prishtinës

Dje rreth orës 15:00, në rrugën “Shkelzen Haradinaj” në Prishtinë, ka ndodhur një aksident trafiku, ku ka humbur jetën një person.

Policia e Kosovës sot ka njoftuar se në këtë aksident kanë qenë të përfshira dy automjete, vetura e tipit “Golf ” dhe një autobus i tipit Mercedes.

“Si pasojë e këtij aksidenti është lënduar ngasësi i veturës, i cili nuk ka arrit të përballojë plagët e shkaktuara nga aksidenti dhe i njëjti, rreth orë 18:00, në QKUK, ka ndërruar jetë, bëhet fjalë për viktimën: R. M. 27 vjeç, mashkull, shtetas Kosovar, ( drejtuesi i veturës Golf), vdekja e të cilit është konfirmuar nga ana e ekipit mjekësor në QKUK”, thuhet në njoftimin e policisë.

Lidhur me këtë aksident drejtuesit të autobusit, me urdhër të Prokurorit të shtetit, i është shqiptuar masa e ndalimit prej 48 orësh.

Ndërkohë që trupi i viktimës është dërguar në Institutin e mjekësisë Ligjore për obduksion.

Gjatë nëntë muajve të këtij viti, në Rajonin e Prishtinës kanë ndodhur 4 mijë e 826 aksidente trafiku prej tyre: 24 aksidente trafiku me pasoja fatale, 25 persona të vdekur,  1 mijë e 484 aksidente trafiku me të lënduar, 2 mijë e 792 persona të lënduar, si dhe 3 mijë e 318 aksidente trafiku me dëme materiale.

Policia e Kosovës ka bërë apel të pjesëmarrësit në trafik që të respektojnë me përpikëri të gjitha rregullat e kodit rrugorë, në mënyrë që bashkërisht të ndikojnë në uljen e numrit të ngjarjeveaksidentale, uljen e vdekshmërisë në komunikacionin rrugor, e rrjedhimisht ngritjen e shkallës së sigurisë në trafik./21Media