Grabitje me maska e armë

Grabitje me maska e armë

Prokuroria Themelore në Gjilan, Departamenti për Krime të Rënda, sot ka ngritur aktakuzë ndaj F.S., L.M., L.H. dhe S.H., të cilët me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror kanë kryer veprat penale grabitje dhe grabitje në tentativë.

Sipas aktakuzës, të pandehurit më 3 korrik 2019, rreth orës 18:30 në Gjilan, në bashkëveprim dhe me përgatitje paraprake, kanë kryer grabitje, në atë mënyrë që të pandehurit L.H. dhe S.H., i kanë udhëzuar të pandehurit L.M. dhe F.S, në shtëpinë ku do të kryenin grabitjen, të cilët të armatosur dhe të maskuar kanë hyrë në shtëpinë e të dëmtuarit S.S., ku nën kanosje dhe ushtrim të dhunës ndaj të dëmtuarës H.S., marrin para në shumë prej 65.000 euro, 1.000 franga zvicerane, si dhe sasi të konsiderueshme ari.

Ata pas grabitjes së bashku me një person tjetër janë mbledhur në banesën e të pandehurit L.M., në Fushë Kosovë, për të ndarë paratë e vjedhura.

Gjithashtu, të pandehurit F.S. dhe L.M., më 11 korrik 2019, rreth orës 18:05 në Postën e Kosovës, në rrugën “Balzaku”, në Gjilan, të maskuar dhe të armatosur me një revole kanë kryer grabitje, ashtu që fillimisht i sulmojnë fizikisht punëtorët e kësaj pike të Postës, e më pas nga arka marrin 300 euro dhe largohen nga vendi i ngjarjes.

F.S. dhe L.M. akuzohen edhe për veprën penale grabitje në tentativë, pasi që më 4 qershor 2019, rreth orës 02:10, në objektin e fabrikës ‘’Fluidi’’ në Velekincë, kanë tentuar të kryejnë grabitje, ashtu që fillimisht me forcë hapin derën e fabrikës, por për shkak të zhurmës e cila është shkaktuar gjatë hapjes së derës, të njëjtit janë hetuar nga sigurimi, ku pas kësaj të pandehurit kanë shkrepur me armë dhe janë larguar nga vendi i ngjarjes./21Media