Aktakuzë kundër një serbi për krime lufte në Kosovë

Aktakuzë kundër N.A. për krimet e luftës kundër popullsisë civile

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, ka ngritur sot aktakuzë në Gjykatën Themelore në Prishtinë – Departamenti Special, kundër të pandehurit N.A. për veprën penale “Krimet e luftës kundër popullsisë civile” nga neni 142 lidhur me nenin 22 të Ligjit penal të Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë, e penalizuar si Krimet e luftës në shkelje të rëndë të Konventave të Gjenevës nga neni 144 paragrafi 2, nënparagrafi 2.4 lidhur me paragrafin 1 nënparagrafin 1.1 lidhur me nenin 31 të Kodit penal të Republikës së Kosovës.

Prokuroria Speciale njofton se i pandehuri N.A. gjatë kohës së luftës në Kosovë, si pjesëtar i forcave policore të njësisë rezervë të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë, ka shkelur rëndë rregullat e të drejtës ndërkombëtare humanitare kundër personave dhe pasurisë që janë të mbrojtura me dispozitat përkatëse në Konventat e Gjenevës të 12 gushtit 1949. “Në atë mënyrë që me datë 21.05.1999, në lagjen “Emshir” në Prishtinë, i pandehuri N.A. në bashkëkryerje me persona të tjerë të forcave policore serbe, deri më tani të paidentifikuar, ka marrë pjesë në aksionin kundër popullatës civile të nacionalitetit shqiptarë, me ç ‘rast në mënyrë çnjerëzore  i kanë torturuar të dëmtuarit  J.Sh. dhe S.Sh.  duke i rrahur për një kohë të gjatë me mjete të forta në pjesë të ndryshme të trupit, duke iu shkaktuar vuajtje të mëdha dhe dëmtime të rënda trupore, nga pasojat e të cilëve ata vuajnë edhe sot”, thuhet në komunikatë.

Të njëjtën ditë, i pandehuri N.A. në bashkëkryerje me persona të tjerë, kishte gjetur dhe përvetësuar nga të dëmtuarit shumën e madhe të parave, disa vetura dhe gjësende të tjera me vlerë.

“Me këto veprime i pandehuri N.A. në bashkëkryerje ka kryer vepër penale Krimet e luftës kundër popullsisë civile nga neni 142 lidhur me nenin 22 të Ligjit penal të Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë,  e penalizuar si Krimet e luftës në shkelje të rëndë të Konventave të Gjenevës nga neni 144 paragrafi 2 nënparagrafi 2.4 lidhur me paragrafin 1 nënparagrafi 1.1. lidhur me nenin 31 të Kodit penal të Republikës së Kosovës”, thuhet në komunikatën e Prokurorisë Speciale të Kosovës./21Media

Back to top button