Aktakuzë ndaj kompanisë, në të cilën humbi jetën një punëtor

Viktima ka humbur jetën 30.06.2018

Prokuroria Themelore në Prizren ka bërë të ditur se ka ngritur aktakuzë kundër personit juridik gjegjësisht kompanisë së stiroporit me seli në fshatin Mushnikovë – Komuna e Prizrenit dhe kundër personit përgjegjës me inicialet A.B., për veprën penale “Asgjësimi, dëmtimi ose heqja e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikimi i sigurisë në vendin e punës”.

Sipas aktakuzës, i ndjeri S.A., nga fshati Lubizhdë – Komuna e Prizrenit ka qenë i angazhuar me kontratë sezonale në fabrikën e stiroporit pronë e të akuzuarit A.B.

Me datën 30.06.2018, rreth orës 11:30 në fabrikën e stiroporit, e cila gjendet në fshatin Mushnikovë – Komuna e Prizrenit, siç bëhet e ditur, derisa i ndjeri ishte duke punuar në vendin e tij të punës në makinën për riciklimin e mbeturinave të stiroporit dhe duke mos qenë i trajnuar dhe udhëzuar për mënyrën e përdorimit të makinës, në një moment e kishte kapur thesin e mbeturinave pezull dhe kishte tentuar ta shkund në makinë dhe papritmas në mungesë të masave mbrojtëse, makina duke e tërhequr thesin, e kishte tërhequr edhe viktimën, bashkë me të, me ç ‘rast i njëjti edhe kishte humbur tragjikisht jetën.

Në këtë mënyrë, i akuzuari A.B., si person juridik dhe si person përgjegjës për sigurinë dhe shëndetin në vendin e punës nuk ka vepruar në pajtim me dispozitat apo rregullat teknike mbi masat për sigurinë në vendin e punës dhe me këto veprime ekziston dyshimi i bazuar mirë se ka kryer veprën penale “Asgjësimi, dëmtimi ose heqja e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikimi i sigurisë në vendin e punës”.

Back to top button