Aktakuzë ndaj drejtorit të Financave dhe ushtruesit të detyrës

Aktakuzë ndaj drejtorit të Financave dhe ushtruesit të detyrës

Prokuroria Themelore në Prizren – Departamenti i Krimeve të Rënda, ka ngritur aktakuzë kundër Z.A., në cilësinë e Ud. Drejtor në Drejtorinë për Ekonomi dhe Financa në Komunën e Prizrenit, dhe E.S., në cilësinë e Drejtorit në Drejtorinë për Ekonomi dhe Financa në Komunën e Prizrenit, për veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

“Sipas aktakuzës, i akuzuari i parë Z.A., në periudhën kohore janar – dhjetor të vitit 2015 në Prizren, në cilësinë e  Ud. Drejtor në Drejtorinë për Ekonomi dhe Financa në Komunën e  Prizrenit, duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar i tejkalon kompetencat e tij  zyrtare duke keqpërdorë pasurinë publike, me qëllim që të përfitoj çfarëdo dobie për persona tjerë juridik: TV Opinion, TV Besa dhe TV Prizreni, duke mos e përmbushur detyrën e përcaktuar me ligj. Në atë mënyrë që, pa ndonjë procedurë të tenderimit në kundërshtim me Ligjin e Prokurimit Publik, Ligjin mbi Menaxhimin e Financave Publike dhe Përgjegjësive si dhe Rregulloren e Thesarit, lidh kontrata për emitimin e spoteve reklamuese për nevojat e Drejtorisë së Financave të Komunës së Prizrenit, me TV Opinion, TV Besa dhe TV Prizreni, ashtu që për tri televizionet arrinë shumën prej 11.800 euro në vjet.

Ndërsa, i akuzuari  i dytë E.S., në periudhën kohore janar – dhjetor të vitit 2016 në Prizren, në cilësinë e Drejtorit në Drejtorinë për Ekonomi dhe Financa në Komunën e  Prizrenit, duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar i tejkalon kompetencat e tij  zyrtare duke keqpërdorë pasurinë publike me qëllim që të përfitoj çfarëdo dobie për persona tjerë juridik: TV Opinion, TV Besa dhe TV Prizreni, duke mos e përmbushur detyrën e përcaktuar me ligj në atë mënyrë që pa ndonjë procedurë të tenderimit në kundërshtim me Ligjin e Prokurimit Publik, Ligjin mbi Menaxhimin e Financave Publike dhe Përgjegjësive si dhe Rregulloren e Thesarit, në atë mënyrë që pa ndonjë procedurë të tenderimit lidh kontrata për emitimin e spoteve reklamuese lidhur me sensibilizimin e opinionin publik rreth pagesave të tatimit në pronë në Komunën e Prizrenit. I njejti lidh kontratë me TV Opinion, TV Besa dhe me TV Prizreni, asht u që për tri televizonet arrinë shumën prej 11.800 euro në vjet”, bëhet e ditur përmes një komunikate për media.

Me këto veprime, ekziston dyshimi i bazuar mirë se të pandehurit Z.A., dhe E.S., kanë përmbushur elementet e veprës penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” sipas KPRK-së.

Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës që të pandehurit të shpallen fajtor dhe të dënohen sipas ligjit, për veprën penale e cilat i’u vihet në barrë.