Aktakuzë për dy zyrtarë të KEDS-it dhe një avokat

Prokurori propozon që të pandehurit të shpallen fajtor

Prokuroria Themelore në Pejë, Departamenti për Krime të Rënda, ka ngritur aktakuzë kundër  dy zyrtarëve të KEDS-it dhe një avokati për veprën penale “Marrje ryshfeti” si dhe për veprën penale “Frikësimi gjatë procedurës penale”.

Sipas aktakuzës, të pandehurit G.G dhe B.Th., me datë 2 dhjetor të vitit 2019, rreth orës 15:25, në Pejë, si persona zyrtar, Teknik për kontrollin e humbjeve në kompaninë “KEDS”, dega në Pejë, pas marrëveshjes paraprake mes tyre, duke mos vepruar sipas detyrave zyrtare, me qëllim të përfitimit, të njëjtit në mënyrë të drejtpërdrejtë kanë kërkuar dhe pranuar shumën prej 200 euro nga i dëmtuari, të pandehurit pasi i marrin të hollat ndalohen dhe arrestohen nga Policia e Kosovës.

Kurse, i pandehuri M.K., me datë 3 dhjetor të vitit 2019, si avokat i të pandehurit B.Th., kishte kanosur dhe ofruar dhurata me qellim që ta nxisë të dëmtuarin që i njëjti ta ndryshojë deklaratën e dhënë në Policinë e Kosovës dhe të deklarohet rrejshëm në Prokurori dhe Gjykatë, kinse i pandehuri B.TH nuk ka të bëjë me veprën penale “Marrje ryshfeti”.

Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes se aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës që të pandehurit të shpallen fajtor dhe të dënohen sipas ligjit për veprat penale të cilat ju vihen në barrë.

Po ashtu, prokurori i çështjes, krahas dënimit kryesor i ka propozuar Gjykatës që të pandehurve t’u shqiptohet dënimi plotësues.  Për dy të pandehurit, G.G dhe B.TH., ndalimi i ushtrimit të funksioneve në administratën publike ose shërbimin publik, kurse për të pandehurin M.K., ndalimin e ushtrimit të profesionit.

Back to top button