Aktakuzë për hajnat që vodhën telefonin e Lumezit

Përveç vjedhjes së telefonit, të akuzuarit kanë kryer edhe shtatë raste tjera të vjedhjeve

Departamenti për Krime të Rënda në Prokurorinë Themelore në Prishtinë, ka ngritur aktakuzë në Gjykatën Themelore në Prishtinë, kundër të pandehurve L.K., M.M. dhe N.G., për veprat penale: Vjedhje e rëndë, mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve, asgjësimi apo dëmtimi i pasurisë , blerja, pranimi ose fshehja e sendeve të përfituara me kryerjen e veprës penale, si dhe sulmi ndaj personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrës zyrtare.

Sipas aktakuzës, të pandehurit më 22 nëntor 2016, rreth orës 03:25, në lagjen ’’Veternik’’ në Prishtinë, të pajisur me maska dhe armë zjarri,  me qëllim të përvetësimit të sendeve të huaja, të luajtshme dhe që vetes t’i sjellin përfitim pasuror të kundërligjshëm, duke depërtuar me forcë kanë hyrë në shtëpinë e të dëmtuarit Aleksandër Lumezi-kryeprokuror i Shtetit, ku kanë marrë një telefon celular të markës „Samsung“ të papërdorur dhe në momentin që kanë dëgjuar familjarët duke lëvizur janë larguar me shpejtësi nga shtëpia.

I pandehuri L.K. gjatë deklaratës së dhënë në Polici e ka pranuar se e ka kryer veprën penale të vjedhjes në shtëpinë e të dëmtuarit.

Po ashtu, sipas aktakuzës tre të pandehurit L.K., M.M. dhe N.G., nga muaji tetor deri në muajin dhjetor 2016, përveç vjedhjes së lartcekur, në shtëpi të ndryshme kanë kryer edhe shtatë raste të vjedhjeve, të veturave të shtrenjta, stolive të arit dhe gjësendeve tjera me vlerë. Gjatë bastisjes së shtëpive të tre të pandehurve dhe veturës së njërit prej tyre janë gjetur prova të ndryshme materiale.

Prokurori i çështjes i ka propozuar gjykatës kompetente që të pandehurit t’i shpallë fajtorë për veprat e kryera penale dhe t’i dënojë sipas ligjit./21Media  

Back to top button