Aktakuzë për shoferin që rrezikoi jetën e 23 personave në Pejë

Si pasojë e aksidentit pesë udhëtarë kishin pësuar lëndime të rënda, ndërsa 18 lëndime të lehta

Prokuroria Themelore e Pejës ka ngritur aktakuzë kundër S.K., për veprën penale “Rrezikimi i trafikut publik”.

“Sipas aktakuzës, i pandehuri S. K., më datën 5 maj të viti 2018, në rrugën Istog-Novosellë, tek vendi i quajtur Dydesh, derisa ishte duke drejtuar autobusin e markës Iveco, me të cilin po transportonte pasagjerë, duke mos u kushtuar kujdes kushteve të rrugës dhe  mospërshtatjen e shpejtësisë së lëvizjes, humb kontrollin mbi autobus dhe del nga korsia e rrugës, ku përplaset për disa lisa, ashtu që si pasojë e kësaj  5 (pesë) udhëtarë kanë pësuar lëndime të rënda trupore, kurse 18 (tetëmbëdhjete) të tjerëve u janë shkaktuar lëndime të lehta trupore”, bën të ditur prokuroria e Pejës.

Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, siç bëhet e ditur i ka propozuar Gjykatës që i pandehuri të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit për veprën penale e cila i vihet në barrë./21Media

Back to top button