Arbnora u shpreh se është me fat që është pjesë e ekipit turk

Arbnora u shpreh se është me fat që është pjesë e ekipit turk

Aktorët e njohur nga Turqia, Semra Dinçer dhe Kazim Caraman sonte ishin të ftuar në emisionin “21 Gradë” të RTV21, me ç’rast treguan gjëra të shumta rreth projektit “Elif Ana’nın”, në të cilin luan edhe moderatorja dhe modelja, Arbnora Ademaj.

Aktorja e njohur turke, Semra Dinçer në emisionin “21Gradë” të RTV21 tha që është gëzuar që është njoftuar me Arbnorën, sipas së cilës, Arbnora e ka zemrën e mirë dhe e konsideron si vajzë të birësuar.

Ndërsa, aktori Kazim Caraman u shpreh që skenari i projektit është në shkrim e sipër dhe se brenda tij do t’i japin vend Arbnorës, për të cilën tha që ka zemër guximtare, shkruan rtv21.tv

Ai theksoi se për filmin “Elif Ana’nın” ka një ekip të madh dhe se më 30 tetor do të lëshojnë një komunikatë për media për të treguar detaje tjera rreth filmit.

Ndërsa, moderatorja kosovare, Arbnora Ademaj tha që bashkëpunimin me ekipin turk e ka parë si ëndërr, gjë për të cilën kanë shkruar mediat në Turqi. Ajo tha që për të kanë qenë të rëndësishme bisedat me Kazimin dhe i kanë lënë përshtypje të mirë.

Duke i falënderuar për fjalët e mira që thanë aktorët turq për të, Ademaj shtoi se ka hasur në mikëpritje shumë të ngrohtë dhe se është shumë me fat që është pjesë e ekipit të tyre.

Kujtojmë që, gjatë vizitës në Kosovë, aktorja Semra Dinçer vizitoi  kompleksin “Adem Jashari” në Prekaz, ku përkrah saj ishte aktori i njohur kosovar, Vedat Bajrami, moderatorja e njohur, Arbnora Ademaj dhe ekipi i saj nga seriali “Nusja nga Stambolli”. Ekipi i serialit shumë të shikuar, “Nusja nga Stambolli”, më 15 gusht ka arritur në Kosovë./21Media