Alarmi nga tërmetet, Meta gati të mbledhë Këshillin e Sigurisë
29 Korrik 2019
"Çdo nënvlerësim i situatës mund të jetë me pasoja tragjike për jetën e qytetarët në radhë të parë"
“Çdo nënvlerësim i situatës mund të jetë me pasoja tragjike për jetën e qytetarët në radhë të parë”
Alarmi i dhënë në Greqi për mundësinë e një tërmeti mbi 6 ballë ka vënë në lëvizje dhe Presidentin e Shqipërisë. Në një shkresë dërguar Ministrisë së Mbrojtjes Ilir Meta, referuar deklaratës së sizmologut Akis Tselentis kërkoi të dijë nëse është marrë kontakt me të apo me institucionet e tjera të rajonit.
Një tjetër pyetje Presidenti ngre dhe për kapacitetet që ka Shqipëria në përballimin e ngjarjeve të tilla dhe masat që mund të jenë marrë nga Ministria e Mbrojtjes për të minimizuar pasojat nëse do të ketë një tërmet të tillë.
Në përfundim të shkresës Presidenti shprehet i gatshëm edhe të mbledhë Këshillin e Sigurisë qoftë edhe vetëm për këtë çështje.
Letra e plotë:
Nëpërmjet medies ndërkombëtare dhe kombëtare jam informuar mbi paralajmërimin për një tërmet apokaliptik që pritet të godasë Ballkanin. Paralajmërimi ka ardhur nga sizmologu i njohur zoti Akis Tselentis, drejtor i institutit gjeodinamik observatori kombëtar i Athinës. Sizmologu Tselentis ka paralajmëruar për një tërmet apokaliptik që pritet të godasë Ballkanin që mund të jetë 30 herë më i fuqishëm se ai që goditi para disa\ ditësh rajonin e Athinës.
Për shkak të karakteristikave të veta sizmike vendi unë është një nga vendet me sizmicitetin më të lartë në Evropë. Prandaj Shqipëria është një vend i kërcënuar nga kjo dukuri natyrore.
Për sa më sipër kërkoj nga ana juaj të informohem mbi:
Institucionet përgjegjëse a kanë kontaktuar me sizmologun Tselentis dhe institucionet homologe të rajonit lidhur me të dhënat e tyre për paralajmërime të tilla?
Cilat janë kapacitetet tona për përballimin dhe masat e marra nga ana juaj, nëse vendi ynë do të goditet nga një tërmet i përmasave të tilla.
Çfarë masash janë marrë apo do të merren për të reaguar në kohë dhe për të minimizuar pasojat e mundshme në nivel qendror dhe vendor?
Nëse e gjykoni të domosdoshme jam i gatshëm të mbledh këshillin e sigurisë kombëtare qoftë edhe vetëm për këtë çështje, pasi çdo nënvlerësim i situatës mund të jetë me pasoja tragjike për jetën e qytetarët në radhë të parë./Oranews