Albright u mirëprit nga Jahjaga

Albright u mirëprit nga Jahjaga

Ish-Sekretarja e shtetit amerikan, Madeleine Albright ka mbërritur në Kosovë. Ajo po qëndron në Kosovë me rastin e shënimit të 20 vjetorit të hyrjes së NATO-s në Kosovë dhe çlirimin e vendit nga forcat pushtuese serbe.

Ish-presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga e ka pritur Abright, duke thënë që ndihet krenare që njëzet vjet pas çlirimit të mirëpres ish-Sekretaren Amerikane. “ Jam krenare që, njëzet vite pas çlirimit, të mirëpres në Kosovë ish-Sekretaren Amerikane të Shtetit, Madeline Albright- njërën nga kontribueset më të fuqishme në lirinë dhe pavarësinë tonë. Vendosmëria dhe përkushtimi i Sekretarës Albright për ta ndalur gjenocidin në Kosovë dhe për t’ia kthyer lirinë dhe shpresën një populli të shtypur ishin kruciale për të ardhmën e popullit tonë. Sekretarja Albright, e cila ishte e pakompromis ndaj dhunës që regjimi i Millosheviqit po ushtronte në Kosovë, sot erdhi në një Kosovë që kultivon vlerat për të cilat ajo është angazhuar- lirinë, demokracinë, tolerancën dhe paqen. Përjetësisht mirënjohës!“, ka shkruar Jahjaga në rrjetin social, Facebook.

Nga ora 14:00 në kuadër të “Ecja për liri”,  do të bëhet përurimi i Bustit të Sekretares Albright në sheshin, “Albright”, afër “American School of Kosova”.

Sot në Prishtinë ka arritur edhe ish-presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bill Clinton. Ai në Aeroportin Ndërkombëtar “Adem Jashari” u prit nga zëvendëskryeministri i Kosovës, Behgjet Pacolli dhe ish-presidentja, Atifete Jahjaga.

Ai aktualisht është duke mbajtur takim me presidentin Hashim Thaçi, ndërkaq nga ora 15:30 do të mbajë takim me kryeministrin Ramush Haradinaj./21Media