Filloi tubimi qendror në shënimin e 20-vjetorit të çlirimit të Kosovës

Filloi tubimi qendror në shënimin e 20-vjetorit të çlirimit të Kosovës

Ish-sekretarja amerikane e shtetit, Madeleine Albright në tubimin qendror për shënimin e 20-vjetorit të çlirimit të Kosovës u shpreh shumë e lumtur që është pjesë e ceremonisë. Kur doli para të pranishmëve, ajo u prit me shumë brohoritje.

“Lufta në Kosovë kishte qenë përballje ndërmjet vrasjeve barbare dhe forcave të domosdoshme, përballje mes tiranisë dhe demokracisë. Ne mbizotëruam sepse aleanca jonë ishte e bashkuar dhe e fortë. Ia dolëm sepse kauza jonë ishte e drejtë, për arsye të qytetarëve të Kosovës. Fushata jonë vendosej dhe themelohej në bazat e drejtësisë. Aleanca e Bashkuar u ul dhe shikonte një komitet të tërë që abuzohej, që largohej dhe dëbohej dhe përgjigja ishte JO.”, tha ajo dhe shtoi se kjo është dëshmi se çfarë ndodhë kur diplomacia dhe forca punojnë me njëra-tjetrën.

Ajo përmendi rastin kur kishte vizituar kampin e refugjatëve në Maqedoni, aty kishte takuar një djalë që ishte duke mbajtur një letër në të cilën shkruante “E dua SHBA-në dhe dua të kthehem në Kosovë”.

Po ashtu, ajo rrëfeu momentin kur kishte biseduar me presidentin e 42-të të SHBA-ve, Bill Clinton, për të ndërhyrë në Kosovë.

“Nuk ishte vendim i lehtë dhe kemi pasur shumë diskutime dhe presidenti Clinton më telefonoi në mbrëmje dhe më tha planet tona janë nisur dhe ne po e bëjmë gjënë e duhur, i thashë po z.kryetar ne po e bëjmë gjënë e duhur…”, deklaroi ajo.

Sot bëhen 20 vjet që kur trupat e NATO-s ishin futur në Kosovë për t’i dhënë fund masakrave dhe shovinizmit serb mbi qytetarët e pafajshëm të Kosovës. Ndërhyrja e NATO-s në Kosovë, i kishte paraprirë një lufte të ashpër mes Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe forcave serbe (ushtrisë, policisë dhe paramilitarëve) dhe pas shumë masakrave të kryera ndaj civilëve shqiptarë.

Hyrja e trupave të NATO-s ishte bërë pas marrëveshjes së Kumanovës ndërmjet zyrtarëve serbë dhe autoriteteve të NATO-s, të udhëhequra në atë kohë nga gjenerali britanik, Mike Jackson. Me këtë marrëveshje, Serbia ishte detyruar të tërheqë të gjitha forcat e saj policore dhe ushtarake nga Kosova./21Media