“Into the Unknown”, një tjetër këngë e suksesshme

“Into the Unknown”, një tjetër këngë e suksesshme

“Frozen 2”, që është vazhdimësi e filmit të animuar Frozen, të vitit 2013, i mungon hiti i Idina Menzel, “Let it Go”, por kjo nuk do të thotë se albumi me këngë i filmit të ri nuk mund të arrijë sukses, kjo pasi që sipas Billboard, nga ai vetëm në javën e parë të publikimit të tij u shitën rreth 80 mijë kopje.

Sipas kompanisë Nielsen, e cila merret me shifrat nga shitjet e këngëve e albumeve, këto shitje u regjistruan në SHBA, përfshirë këtu 51 milionë shkarkime në internet dhe 37 mijë kopje të shitura si pako e kompletuar, shkruan rtv21.tv

Filmi i ri i Disney-it, “Frozen 2” tashmë ka kryesuar box office-in vendas për tri javë radhazi, duke fituar kështu 337.6 milionë dollarë amerikan, ndërkaq në box office-in botëror 922 milionë dollarë.

Nga kjo shihet se edhe në këtë kohë kur shkarkimet në internet zënë vend të posaçëm, edhe këngët vazhdojnë të jenë një biznes i madh. E ndërkohë që hitet e muzikës pop vlerësohen si fenomen viral jetëshkurtër, këngët e suksesshme nga filmat shpesh kanë jetëgjatësi, pasi që adhuruesit më parë zgjedhin të vlerësojnë një album në tërësi se sa të klikojnë një singël.

Në anën tjetër, prodhuesit e filmit “Frozen 2” me këtë projekt synojnë të arrijnë suksesin që arritën para pesë vjetësh me filmin e parë. Albumi i ri ka ekipin realizues po aq kreativ sa të parin, këngë të Robert Lopez e Kristen Anderson-Lopez, nga ekspertë muzikor, e po ashtu këngë nga artistë si Panic! at the Disco, Kacey Musgraves dhe Weezer.

Ajo çka nuk ka “Frozen 2” është vetëm kënga hit “Let It Go”, e cila u shpërblye me Oscar dhe një Grammy. Një këngë konkurrente me të në këtë film është ajo e titulluar “Into the Unknown”, që është një baladë e fuqishme me vokal të Idina Menzel, dhe këngëtares norvegjeze, Aurora.

Në radhë të albumeve të artistëve të tjerë, në Billboard 200, në pozitën e dytë vjen albumi i Post Malones “Hollywood’s Bleeding”.

Në pozitën e tretë u vlerësua albumi i Trippie Redd “A Love Letter to You 4”.

Në pozitën e katërt vjen ai i Taylor Swift, “Lover”.

Dhe në fund, top pesëshen e albumeve të Billboard 200 e përmbyll Billie Eilish me albumin “When We All Fall Asleep, Where Do We Go?”

Sa i përket top dhjetëshes së Billboard 200, vlen cekur se pas lajmit për vdekjen e reperit Juice Wrld këtë të diele, në moshën 21 vjeçare, adhuruesit e tij shpejtë iu qasën rrjeteve sociale duke vlerësuar disa nga këngët e tija. Në Spotify, pesë prej 10 këngëve në SHBA këtë të hënë ishin të reperit tani të ndjerë, përfshirë këtu hitin e tij, “Lucid Dreams,” që u vlerësua në pozitën e parë./21Media