Alternativa nuk ulet në tavolinë me Besën

Alternativa nuk ulet në tavolinë me Besën

Vazhdojnë përpjekjet e Aleancës për Shqiptarët për ta jetësuar koalicionin trepalësh mes saj, Lëvizjes Besa dhe Alternativës.

Brenda pak ditësh pritet të merret vesh nëse kjo gjë do të bëhet realitet.

“Bisedimet vazhdojnë dhe unë shpresoj se do të përfundojnë me sukses”, u shpreh Syrja Rashidi nga Aleanca për Shqiptarët.

Kryesia e “Besës” ka rikonfirmuar qëndrimin se është e hapur për bashkëpunim parazgjedhore trepalësh, konform thirrjes së Aleancës për Shqiptarët.

“Besojmë sinqerisht se mund të ndodhë, bashkëpunimi i këtyre tre subjekteve të realizohet, për shkak se këto tre subjekte kanë një interes të përbashkët”, potencoi Fadil Zendeli nga Lëvizja Besa.

Por Alternativa është e prerë, nuk ulet në tavolinë me Besën!

“Janë disa njerëz aty me të cilët asnjë organ partiak i Alternativës nuk do të kishte pranuar të ulet me ta në tavolinë, për shumë arsye parimore, për arsye se nëse disa njerëz kanë qenë në shërbim të të tjerëve për të thyer idealin dhe shpresën e një subjekti politik, me ata njerëz nuk mund të rrugëtosh bashkërisht”, theksoi Skender Rexhepi nga Alternativa.

Zejdi thotë se do të mjaftonte koalicioni Aleancë-Alternativë, pa Besën, për të fituar zgjedhjet e 12 prillit. Në rast se deri në fund Alternativa nuk lëshon pe për koalicion trepalësh, do t’i mbetej Aleancës për Shqiptarët të përzgjedhë se me cilin nga dy subjektet do të koalicionojë. Se me kë, ende nuk e thonë publikisht! Ndërkohë dy partitë rivale besojnë  se do të jenë zgjedhja e ASH-së për koalicion.

“Jam optimist sepse kemi shumë arsye pse duhet të kemi zgjidhje të përbashkët dhe s’kemi asnjë arsye pse duhet ta mohojmë një zgjidhje të tillë”, deklaroi Skender Rexhepi nga Alternativa.

Kastriot Rexhepi: “Nëse dështon ideja e koalicionimit trepalësh të Aleancës për Shqiptarët, atëherë lëvizja Besa do të angazhohet fuqishëm për të pasur një bashkëpunim opozitar.

TV21:Parti konkrete?

Kastriot Rexhepi: “Po Aleanca për Shqiptarët është partia e vetme që është në opozitë”.

Përpjekjet për koalicion trepalësh, Artan Grubi nga BDIi sheh si mosguxim dhe pasiguri tek partitë opozitare shqiptare që të dalin të vetme kundër BDI-së.

“Akoma më shumë për keqardhje është fakti që të tria këto bashkohen për t’i rrënuar të gjitha të arriturat e BDI-së dhe ky koalicion për fat të keq është koalicion për të rrënuar e jo për të ndërtuar një të ardhme më të mirë”, tha Artan Grubi nga BDI.

Si BDI, poashtu edhe PDSH kanë deklaruar se drejt zgjedhjeve do të shkojnë të vetme, pa koalicione parazgjedhore. Pas zgjedhjeve integristët do të shohin se me cilën parti maqedonase do të koalicionojnë, varësisht numrave, ndërkaq dje zëdhënësi Bujar Osmani tha për TV21 se BDI nuk do ta ketë nevojën e koalicioneve me partitë shqiptare. Kreu i PDSH-së Menduh Thaçi nga ana tjetër është shprehur pro një koalicioni paszgjedhor me LSDM-në, por me kusht që ai të jetë i vetmi zëvendëskryeministër dhe BDI-ja të mos jetë pjesë e qeverisjes./21Media