I pari i Ferizajt ka thënë se përveç gjendjes financiare në gjendje të rëndë është edhe fusha e urbanizmit

I pari i Ferizajt ka thënë se përveç gjendjes financiare në gjendje të rëndë është edhe fusha e urbanizmit

Ndonëse e gjeti komunën e Ferizajt me 10.56 milionë euro detyrime të drejtpërdrejta, të cilat ose janë të përmbaruara ose presim si fatura për t’u realizuar, tashmë kreu i kësaj komune, Agim Aliu shprehet i bindur se do të realizohet e gjithë platforma e tij qeverisëse.

Në një intervistë për Kp Aliu ka deklaruar se komunën që drejton e ka gjetur edhe më keq sesa që e kishte menduar. Ai tha se ka gjetur kontrata të pambuluara, projekte të pambuluara pa asnjë cent dhe se kjo kap shifrën prej 40.8 milionë eurove.

Përveç gjendjes financiare, kreu i Ferizajt ka thënë se në gjendje të rëndë është edhe fusha e urbanizmit, ku ai është shprehur se kanë trashëguar një plan zhvillimor komunal, i cili më së paku mund të quhet i tillë.

Për të zgjidhur këtë kaos, Aliu ka thënë se do të shtyjë përpara projektet, të cilat do të zgjidhin këtë kaos urbanistik, që një nga to është projekti “Bashkimi i Qytetit”.

Komuna e Ferizajt ka probleme edhe në fushën e arsimit, që kryetari i kësaj komune, Agim Aliu bëri të ditur se ka pasur një politizim ekstrem të arsimit, qoftë në rekrutimin menaxherial, qoftë në rekrutimin e të punësuarve.

Po ashtu, Aliu është shprehur se janë të përkushtuar për të ofruar kushte më të mira në shkolla, pasi sipas tij ende nuk janë kushtet e duhura nëpër shkollat e kësaj komune.

Ndërsa, ka bërë të ditur se do të ndërtohet edhe një shkollë profesionale me të vetmin qëllim që nxënësit të orientohen nga aftësimi profesional si një mundësi e mirë për të gjetur më pastaj një vend pune.

Duke qenë se kjo komunë shquhet për numrin e madh të bizneseve që operojnë, Aliu bëri të ditur se do të themelohet qendra e Ndërmarrësisë dhe Inovacionit.

Komuna e Ferizajt sipas kreut të saj, Agim Aliu probleme ka edhe në fushën e sportit, por që është shprehur i gatshëm për të ndihmuar në këtë fushë.