Aliu thotë se tutje do të flasin edhe për poztiat

Aliu thotë se tutje do të flasin edhe për poztiat

Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës janë afër një koalicioni parazgjedhor, ndërsa është afruar edhe momenti kur do të flasin për pozitat.

Kështu deklaroi deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Liburn Aliu në një konferencë për media ku foli për degradimin e lumenjve.

Sipas Aliut, një koalicion i tillë është mundësia e vetme që para zgjedhjeve të ketë garanci që do ketë ndryshim të madh në vend.

“Ne vazhdimisht po zhvillojmë takime me përfaqësues të LDK-së, me idenë që para zgjedhjeve të ketë garanci që do ketë ndryshim të madh në këtë vend. Njëra nga mundësitë që të sigurohemi se do të ketë ndryshim të madh në këtë vend është çështja e koalicionit parazgjedhor. Këto mundësi po diskutohen dhe besoj do ketë rezultate. Nuk është hyrë në detaje për çështjet e pozitave dhe detaje tjera por jemi në rrugë që diçka e tillë të ndodhë.”, tha ai.

Sa i përket problemeve që sipas Lëvizjes Vetëvendosje po vijojnë me degradimin e pellgjeve lumore në kurriz të banorëve, Aliu tha se punimet në hidrocentrale janë duke u bërë me shkelje të shumta ligjore dhe pa analiza ujore e mjedisore.

Sipas tij, Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor arsyetohet se nuk ka mandat të marre vendime për shkak se janë në pritje të përgjigjes nga Gjykata kushtetuese, teksa u shpreh se kur bëhet fjalë për dhënie të lejeve dikasteret funksionojnë shumë mirë.