Ambasada e Britanisë së Madhe në Kosovë fshin postimin!

Ambasada e Britanisë së Madhe në Kosovë fshin postimin!

Lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti para dy ditësh ka pritur në takim Ambasadorin e Britanisë së Madhe në Kosovë, Nicholas Abbott. Në zyrën e Kurtit i vendosur ishte flamuri kombëtar por jo edhe ai i Kosovës. E një gjë e tillë si duket e ka penguar presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.

Ai përmes rrjetit social “Twitter”  i ka bërë disa pyetje Abbott-it. “Pyetja ime për ambasadorin e Britanisë së Madhe në Prishtinë: Cilat zgjedhje i ka fituar Kurti, në çfarë shteti? Dhe flamuri që i qëndroni përballë cilit shtet i takon, shkëlqesia juaj? Unë do të vazhdoj t’iu pyes derisa të marr një përgjigje për këto pyetje”, është shprehur Vuçiq

Përgjigje kësaj pyetje i ka dhënë Ambasada Britanike në Kosovë, e cila përmes një postimi në Twitter ka deklaruar:

“Një fotografi e publikuar së voni e ambasadorit në takim me njërin nga udhëheqësit politikë të Kosovës ka tërhequr vëmendjen e rajonit. Është detyrë e Ambasadës që të bashkëpunojë me akterët kryesorë politikë. Kur veprojnë në kuadër të partisë, bashkëbiseduesit tanë janë të lirë që të zgjedhin se si do t’i organizojnë zyrat e tyre”.

Ky postim ishte fshirë pas pak minutash, për tu publikuar më vonë me një pjesë të ndryshuar, ku në vend të fjalisë “Kur veprojnë në kuadër të partisë, bashkëbiseduesit tanë janë të lirë që të zgjedhin se si do t’i organizojnë zyrat e tyre”, është vendosur fjalia “Ne nuk kemi zgjedhur se si bashkëbiseduesi jonë, që vepronte në kuadër të partisë, ka organizuar zyret e tij”./21Media