Ambasadori amerikan në Kosovë: FSK ushtri – hap i natyrshëm
6 Dhjetor 2018
Sipas Kosnett-it, transformimi është proces i gjatë dhe do të marrë shumë vite
Sipas Kosnett-it, transformimi është proces i gjatë dhe do të marrë shumë vite
Ambasadori i ri i SHBA-së në Kosovë, Philip Kosnett deklaroi se transformimi i Forcës së Sigurisë së Kosovës në Forca të Armatosura është hap pozitiv.
Ai në një intervistë për televizionin publik tha se është më se e natyrshme për Kosovën si vend sovran dhe i pavarur, që të ketë aftësi vetëmbrojtëse.
“Liderët kosovarë kanë folur se si Forcat e Armatosura do të mund të merrnin pjesë në operacione paqeruajtëse jashtë shtetit, që Kosova e ka arritur pikën që në vend se të jetë vetëm konsumuese e sigurisë ndërkombëtare, mund edhe t’i kontribuoj asaj dhe se e tërë kjo është e mirëseardhur”, u shpreh diplomati amerikan.
Megjithatë, ai transformimin e FSK-së e cilësoi si proces të gjatë që do të marrë shumë vite. Kosnett po ashtu tha se është e rëndësishme që të jetë forcë multi-etnike.
Ambasadori Kosnett ritheksoi se Kosova vazhdon të mbetet lart në prioritetet e politikës së jashtme amerikane.