Abbott mirëpret deklaratën e vëzhgues të BE-së

Abbott mirëpret deklaratën e vëzhgues të BE-së

Ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Nicholas Abbott, tha se procesi zgjedhor më 6 tetor tregon se demokracia është duke u rritur në këtë vend.

Nëpërmjet një shkrimi në llogarinë e tij në Facebook, Abbott përgëzoi profesionalizmin e Këshillit Qendror të Zgjedhjeve, që siç tha ai e kanë vërejtur edhe vëzhguesit e Ambasadës britanike kudo në vend.

“Unë përgëzoj dedikimin dhe ishte shumë mirë të shihje rezultatet paraprake të publikoheshin me aq shpejtësi në ueb faqen e KQZ-së, që bëri procesin të jetë edhe më transparent. E mirëpres deklaratën e sotme të Misionit Vëzhgues të Zgjedhjeve të Bashkimit Evropian, dhe ndaj mendimin se zgjedhjet kanë qenë të administruara mirë. Por jam i brengosur me kërcënimet gjatë fushatës në disa pjesë të Kosovës të banuara me popullatë serbe”, shkroi ambasadori.

Tutje ai theksoi se “rezultatet janë të qarta, Kosova ka votuar për ndryshim, dhe tash pret formimin e një qeverie të re dhe stabile, që do të mund të merret me çështjet e rëndësishme me të cilat është duke u ballafaquar vendi. Unë mezi pres bashkëpunimin me qeverinë e re”.

Kujtojmë se misioni vëzhgues i BE-së për zgjedhjet e 6 tetorit në Kosovë, sot ka vlerësuar se gjithë procesi i zgjedhor në nivel vendi ka qenë i administruar mirë, transparent dhe demokratik./21Media