"Britania e Madhe ka nevojë që Kosova të jetë një partner serioz"

“Britania e Madhe ka nevojë që Kosova të jetë një partner serioz”

Ambasadori britanik në Kosovë, Ruairi O’Connell ka thënë se kthimi i Xhabir Zharkut në Kosovë si një njeri i lirë është i turpshëm.

Sipas ambasadorit, turpi i vërtetë është se në gjashtë vjet që kur Zharku u lejua t’i shpëtojë drejtësisë, asgjë nuk është bërë për të ndaluar politikanët e tjerë kriminelë të bëjnë të njëjtën gjë.

“Nuk shoh asnjë arsye për një dispozitë ligjore që i lejon kriminelët të largohen nga vendi dhe të jetojnë jashtë vendit në vend që ta mbajnë dënimin e tyre në burg”, ka shkruar O’Connell në Facebook.

Ai poashtu ka shkruar se shpreson që reformat e drejtësisë do ta mbyllin këtë shteg dhe kështu t’i japin mbështetje atyre policëve dhe prokurorëve që janë seriozë rreth luftës së krimit të organizuar.

“Britania e Madhe ka nevojë që Kosova të jetë një partner serioz në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar”, ka përfunduar O’Connell.

Ish- kryetari i Kaçanikut ishte dënuar me 3 vjet burg për veprat penale të detyrimit dhe armëmbajtjes pa leje.