Sipas Daçiqit, Trump ka më shumë vullnet për arritjen e një zgjidhje të drejtë sesa Departamenti i Shtetit

Sipas Daçiqit, Trump ka më shumë vullnet për arritjen e një zgjidhje të drejtë sesa Departamenti i Shtetit

Përfaqësuesi special i presidentit amerikan, Donald Trump për dialogun Kosovë – Serbi, Richard Grenell pas takimeve që pati dje  me presidentin e Kosovës, Hashim Thaçin dhe me liderët e partive politike, sot vazhdoi vizitën në Beograd.

Grenell takoi krerët e lartë të shtetit serb, derisa me të arritur në Beograd u shpreh se populli i Serbisë dhe Kosovës dëshirojnë paqe, zhvillim ekonomik, punë dhe një jetë më të mirë për fëmijët e tyre.

Me këtë rast, ministri i Jashtëm serb, Ivica Daçiq tha se është mëse e sigurtë se presidenti amerikan, Donald Trump ka interes për rajonin dhe se ai mendon se mund të arrihet një marrëveshje (Kosovë-Serbi).

“Ai (Trump) ka më shumë vullnet për arritjen e një zgjidhje të drejtë sesa Departamenti i Shtetit”, tha Daçiq për Radio Televizionin e Vojvodinës.

Ndërkohë, dje përmes një komunikate nga presidenca u bë e ditur se në takimin e Presidentit Hashim Thaçit dhe Richard Grenellit u tha se Marrëveshja e Paqes në mes Kosovës dhe Serbisë do t’i kontribuonte zhvillimit të Kosovës dhe tërë rajonit.

Ndryshe, ditë më parë, presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donlad Trump ka zgjedhur ambasadorin amerikan në Gjermani, Richard Grenell, si të dërguar të administratës amerikane për dialogun Kosovë-Serbi.