Pajisjet janë dhuruar nga Delegacioni i Unionit Amator të Sportistëve në SHBA

Pajisjet janë dhuruar nga Delegacioni i Unionit Amator të Sportistëve në SHBA

Drejtuesit më të lartë të Unionit Amator të Sportistëve (AAU) në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të prirë nga presidenti i kësaj organizate, Roger Goudy kanë vizituar Komitetin Olimpik të Kosovës, me ç’rast janë pritur nga presidenti Besim Hasani, sekretari i përgjithshëm, Shasivar Haxhijaj dhe stafi.

Goudy shoqërohej nga Rusy Buchanan (nënpresident), Teresa Parmenter (Guvernatore e Iowas), Wes Creason (kryetar i AAU në mundje), Kim Heidemann (drejtoreshë në Alliance Global Solutions) dhe Kathy Buchanan, dorëzuan në KOK pajisje sportive për federata të ndryshme në Kosovë, si donacion nga shteti i Ioëas.

Një njoftimin e KOK-ut bëhet e ditur se këto pajisje iu dedikohen kryesisht sporteve të futbollit, basketbollit, volejbollit, ragbit, etj.

Presidenti Hasani u shpreh mirënjohës dhe falënderoi përzemërsisht miqtë tanë nga SHBA, për disa prej të cilëve ishte vizita e tretë bërë KOK-ut dhe e cila këtë herë ka rezultuar me një donacion për federatat sportive.

Në emër të AAU-s, presidenti Goudy theksoi se ky donacion vjen si rrjedhojë e vizitave që përfaqësuesit e kësaj organizate kanë pasur në Kosovë, si dhe sfidat nëpër të cilat ka kaluar sporti ynë dhe vetë shteti i Kosovës.

Hasani i njoftoi mysafirët edhe me pamje nga Festivali Sportiv Prishtina 2019, ku morën pjesë 2 mijë parafillorë, për çka përfaqësuesit e AAU mbetën të ngazëllyer me organizimin.
Gjatë bashkëbisedimit u trajtuan edhe mënyra tjera të bashkëpunimit mes Lëvizjes Olimpike në Kosovë dhe Unionit Amator të Sportistëve të Iowas.