Analistët: Qeveria e ardhshme me pakicat

Analistët: Qeveria e ardhshme me pakicat

Hyrja e koalicioni Nisma-AKR në Kuvendin e Kosovës dhe humbja e tre deputetëve nga Lëvizja Vetëvendosje dhe një nga Lidhja Demokratike e Kosovës, mund të krijojë vështirësi në arritjen e numrave të nevojshme për formimin e qeverisë, vetëm nga këto dy parti. Analistët politik po deklarojnë se krijimi i qeverisë në situatën aktuale politike në vend mund të bëhet përmes bashkëqeverisjes me minoritetet apo koalicionin Nisma-AKR, por nuk e përjashtojnë mundësinë që vendi të shkojë në zgjedhje.

VV në bazë të rezultateve përfundimtare të shpallura nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, kishte 32 deputetë dhe LDK 29 deputetë, gjë që mundësonin krijimin e qeverisë. Mirëpo, dje Gjykata

Supreme vendosi që në rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të 6 tetorit të mos përfshihen votat e ardhura nga Serbia, gjë që mundësoi hyrjen e koalicionit Nisma-AKR-PD, në Kuvend, me gjashtë deputetë.

Hyrja e këtij koalicioni i kushtoi më së shumti VV-së e LDK-së, të cilët tash e një kohë takohen për harmonizimin programit qeverisës.

Njohësi i çështjeve zgjedhore, Albert Krasniqi, ka shkruar se Lëvizja Vetëvendosje do të ketë tre deputetë më pak, LDK-ja një deputet më pak. Nga një deputet më pak do ta kenë edhe PDK-ja e koalicioni AAK-PSD.

Me këtë numër të deputetëve, VV dhe LDK, e kanë të pamundur formimin e qeverisë vetëm nga këto dy subjekte politike.

Analisti politik, Ramush Tahiri, ka deklaruar se aktualisht Lëvizja Vetëvendosje dhe LDK nuk i kanë numrat për të formuar qeverinë, prandaj thotë është i nevojshëm bashkëpunimi me partitë e pakicave.

“Këto dy parti nuk mund ta krijojnë qeverinë vetë, për me i bë 61 vota. Këto dy parti mund të krijojnë qeveri nëse i marrin minoritetet jo serbe dhe si partnerë të koalicionit por nëse i marrim reagimet e komunitetit egjiptian…kërkojnë ministra, nëse Albin Kurti me Isa Mustafën e bëjnë koalicionin me 12 ministri, 2 ministra iu takojnë komuniteteve, atëherë mbesin 10 ministri me u nda…Nisma do jetë gurë i pakapërcyeshëm për qeverinë kushdo që e bënë “, ka thënë ai për kp.

Tahiri po ashtu ka deklaruar se duke analizuar situatën aktuale në vend gjasat që vendi të shkojë në zgjedhje janë shumë të mëdha.

“Tash në analizë gjasat janë të mëdha që vendi të shkoj në zgjedhje në analizë sa i përket parimeve politike, por këtë e vendosin partitë politike. Ne duhet të bindemi që këto rezultate do të pranohen se mund të ndodh që pasi ka pasur kaq shumë lëndime të procesit zgjedhor një parti politike nuk i pranon rezultatet e zgjedhjeve dhe refuzon me i vërtetua mandatet…Vetëvendosje duhet në këtë rast 61 deputetë pro me i pas në Kuvend, a i ka me serbët apo pa serbët apo me minoritetet tjera varet prej saj se si do të përcaktohet”, është shprehur Tahiri.

Analisti tjetër politik Dardan Velija ka deklaruar se shumë lehtë do të ishte formimi i qeverisë me minoritete, por që do t’u duhej Vetëvendosjes dhe LDK-së të heqin dorë nga parimi i tyre që e kishin gjatë fushatë për të formuar qeveri vetëm me shumicën shqiptare.

“Marrja e pakicave është obligim kushtetues, përderisa përfshirja e Nismës nuk është, përfshirja e Nismës është në mbetet në vullnetin e këtyre dy partive duan apo nuk duan ta marrin dhe atë mund ta bëjnë vetëm nëse të dy partitë për që ta përfshijnë kurse përfshirjen e pakicave tjera dhe asaj serbe e kanë obligim kushtetues, kështu që do jetë krijimi shumë i lehtë i qeverisë me këtë numër të madh të deputetëve që e kanë edhe pa Nismën”, ka thënë ai

Velija nuk e ka përjashtuar mundësinë që hyrja e koalicionit Nisma-AKR në Kuvend, mund ta vështirësojë krijimin e qeverisë së ardhshme të Kosovës.

Ai ka këshilluar që nëse Vetëvendosje dhe LDK duan që ta luftojnë korrupsionin të mos marrin në qeverisje partnerët e qeverisjeve të kaluara.

“Në rast se përfundimisht Nisma hynë në parlament dhe kjo mbetet të shihet pas rinumërimit partnerëve të ardhshëm të koalicionit u mbetet të vendosin a duan t’i qëndrojnë këtij objektivi këtij synimi të përbashkët që dyja e kanë pasur që ta kenë një shumicë shqiptare në qeverinë e ardhshme apo ta lënë këtë qëllim anash. Besoj se si ashtu , si ashtu ato nuk i ikin parimësisë elektoratit të vetë parimësisë që e kanë pasur kundrejt elektoratit të vetë, si vendosën që ta përfshijnë Nisëm dhe partitë tjera se pastaj do jenë edhe tri parti tjera që do hynin do e vështirësonte pak krijimin e qeverisë, por edhe menaxhimin e qeverisë…Në çoftë se këto dy parti duan t’i qëndrojnë besnike parimin që do e ndërpresin korrupsionin unë mendoj se këtu duhet të hyjnë bashkë dhe mos të marrin parti të tjera të cilat kanë qenë në dy tri qeveritë e fundit dhe sidomos në këtë qeverinë e fundit që mos t’i përfshijnë në koalicion por mbetet të shihet”, ka thënë ky analist politik.

Në zgjedhjet e 6 tetorit, Lëvizja Vetëvendosje doli e para, e pasuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës.

E grupet punues të këtyre dy partive deri më tani kanë zhvilluar disa takime të përbashkëta përmes të cilave kanë deklaruar se kanë harmonizuar programin bashkëqeverisës në shumë aspekte, por që lideri i LDK-së, Isa Mustafa ka deklaruar se diskutimet me Vetëvendosjen do i vazhdojnë pas certifikimit të rezultateve.

Kushtetuta e Kosovës e përcakton se Qeveria Kosovës mund ta formojë vetëm partia apo koalicioni që i fiton zgjedhjet, që në këtë rast nënkupton Lëvizjen Vetëvendosje, e cila më pas ka të drejtën e përzgjedhjes se me cilën apo me cilat parti politike dëshiron ta formojë qeverinë e re për mandatin e ardhshëm katërvjeçar.