GAP me analizë mbi buxhetin e Kosovës

GAP rekomandon të bëhet risistemimi i stafit në mes institucioneve dhe departamenteve

Instituti GAP prezentoi analizën mbi “Buxhetin e Kosovës 2017 dhe rekomandimet e Komisionit Evropian” sot gjatë një konference për medie.

Berat Thaqi, Analist i politikave në Institutin GAP, theksoi se megjithëse ka përparime në adresimin buxhetor të rekomandimeve të raportit të KE-së, ka ende disa fusha për të cilat nuk është bërë mjaftueshëm.

Sipas tij brenda Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë (MTI) shihet një përmirësim sa i përket investimeve kapitale për Agjencionin për Metrologji, por departamenteve të tjera nuk u janë rritur kapacitetet buxhetore, sidomos atyre që merren me akreditim dhe standardizim.

Në këtë konferencë sipas analizës së institutit GAP sa i përket rregullatorëve, buxhet i pamjaftueshëm është ndarë për Zyrën e Rregullatorit për Energji (ZRRE) dhe Agjencinë e Kosovës për Efiçiencë.

Sipas këtij Instituti sa i përket reformës në administratë publike nuk është shënuar përmirësim në rritjen e kapaciteteve të Ministrisë së Administratës Publike (MAP) për monitorimin e kësaj reforme. Radio Televizioni i Kosovës (RTK) edhe këtë vit do të financohet nga buxheti i shtetit, megjithëse afati ligjor për këtë formë të financimit ka kaluar. Problem tjetër i adresuar në raportin e KE-së është mungesa e sigurisë në punë dhe mungesa e inspektorëve të punës. Gjithashtu, shpenzimet publike në shëndetësi janë ndër më të ulëtat në rajon, dhe asnjëherë deri më tani buxheti i ndarë për shëndetësi nuk i ka plotësuar nevojat.

Ndërsa, Aanalist i politikave në Institutin GAP, Agron Demi potencoi se një nga problemet që përsëritet më së shpeshti në rekomandimet e Komisionit Evropian ka të bëj me mungesën e stafit në departamente kyçe që kanë të bëjnë me monitorim të politikave dhe zbatim të ligjeve. „Përkundër asaj se kemi një administratë publike e cila është e mbingarkuar me të punësuar, institucionet kanë dështuar që të rrisin stafin në institucionet zbatuese dhe monitoruese të ligjeve“.

Një nga rekomandimet e GAP është që të bëhet risistemimi i stafit në mes institucioneve dhe departamenteve, e jo të punësohet staf shtesë./21Media

Back to top button