Anëtarësimi i Malit të Zi në NATO ndihmon stabilitetin e rajonit

Kryetari i Shoqatës së Malazezëve , Slobodan Vujiçiq tha se pret që të ratifikohet marrëveshja e demarkacionit

Anëtarësimi i Malit të Zi në Aleancën Veri-Atlantike do të ndihmonte në stabilizimin e rajonit dhe po ashtu do të tregonte që gjërat kanë filluar të lëvizin në drejtim të duhur, u tha të enjten në konferencën e organizuar nga Friedrich Ebert Stiftung dhe Shoqata e Malazezëve të Kosovës me temën “NATO dhe Ballkani Perëndimor: Ndikimi në sigurinë rajonale i anëtarësimit të Malit të Zi”.

Kryetari i Shoqatës së Malazezëve në Kosovë, Slobodan Vujiçiq, tha se anëtarësimi i Malit të Zi në NATO do të ndikonte në stabilizimin e rajonit. Ai, ndër të tjera, tha se shpreson që shumë shpejt Kuvendi i Kosovës do të marrë vendim për ratifikimin e marrëveshjes për kufirin me Malin e Zi.

“Dua të theksoj se ne kosovarët duhet të kemi kujdes kur kemi të bëjmë me marrëveshjen për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi, sepse ratifikimi i marrëveshjes është kusht esencial i marrëdhënieve të mira fqinjësore dhe të partneritetit strategjik me anëtaren e ardhshme të NATO-s, por edhe me 28 anëtarët e tjerë që përfaqësojnë Aleancën e NATO-s. I bindur në pjekurinë politike të deputetëve të Kosovës pres që ratifikimi i marrëveshjes së demarkacionit të kufirit me Malin e Zi do të miratohet në një afat sa më të shkurtër”, tha ai.

Ndërsa Aleksander Dedoviq nga një qendër studimore në Mal të Zi, tha se anëtarësimin e këtij vendi në NATO e përkrahin 53 për qind e banorëve të këtij shteti.

Nga ana e tij, Wulf Lapins, drejtor i FES në Kosovë, tha se misioni i NATO-s në rajon nuk mund të arrihet pa një reformë të thellë euroatlantike për sa i përket shteteve të Ballkanit.

Ndërkohë, drejtori i institutit KIPRED, Lulzim Peci, tha se anëtarësimi në NATO varet prej momentit politik dhe rrethanave gjeopolitike dhe gjeostrategjike.

Back to top button