Anëtarësimi në NATO-Armata e gatshme por Maqedonia jo!

Sot në Shkup demonstruan se si reagojnë dhe si i përcjellin urdhëratë komanda e këmbësorisë së batalionit luftarak

Armata e Republikës së Maqedonisë është e përgatitur për të hyrë në NATO, theksoi zëdhënësi i Shtabit të përgjithshëm të ARM-së, Toni Janevski. Sipas tij, Armata ka kaluar shumë prova me sukses dhe e ka dëshmuar veten se është e përgatitur sikurse edhe vendet tjera anëtare të NATO-s.

“Batalioni i mesëm i këmbësorisë është njësia më e madhe në Armatën e RM-së, e cila një herë e ka kaluar certifikimin sipas standardeve të NATO-s, ashtu siç i kanë kaluar edhe njësitë e tjera më të vogla në përbërje të ARM-së. Trajnimi i njësive tona është në nivel të pranuar edhe nga Aleanca e NATO-s“, tha Janevski.

Edhe profesori universitar Bllagoja Markovski tha e ushtria e Maqedonisë është e përgatitur mirë dhe sipas tij ajo ka përfaqësuar denjësisht vendin tonë nëpër misione.

“Armata e Republikës së Maqedonisë gjatë periudhës së kaluar dhe tani, vazhdimisht është duke dëshmuar se mund t’ia del në krye edhe me sistemet mbrojtëse bashkëkohore“, tha ai.

Megjithatë ai thotë se Maqedonia nuk është e gatshme për t’u bërë pjesë e aleancës sepse ka ende shumë punë.

“Republika e Maqedonisë tani për tani, mund të thuhet se ende nuk është e gatshme që të jetë pjesë e aleancës edhe pse në vitin 2008 i ka përmbushur të gjitha kushtet. Kur them kështu, fjalën e kam para së gjithash në ngecjen e Maqedonisë sa u takon proceseve demokratike, që u cenuan me qeverisjen e pushtetit të kaluar“, tha më tej Markovski.

Ndryshe sot në Shkup në kuadër të aktiviteteve për shënimin e 25 vjetorit të formimit të Armatës, demonstruan se si reagojnë dhe si i përcjellin urdhëratë komanda e këmbësorisë së batalionit luftarak. Kjo njësi, që është njësia më e madhe ushtarake në Maqedoni, tashmë ka qenë e vlerësuar nga NATO për plotësimin e standardeve të NATO-së./21Media

Back to top button