Aksioni i Forcave Detare me mision në detin Egje

Aksioni i Forcave Detare me mision në detin Egje

Forcat detare të Shqipërisë me mision në detin Egje kanë ndaluar në tre ditët e fundit 4 gomone të ndryshme me rreth 140 emigrantë afganë e sirianë në bord.

Në bashkëpunim me rojat bregdetare turke dhe greke, anija “Oriku”, pjesë e operacionit të NATO-s “Sea Guardian”, brenda 3 ditëve ka asistuar në shpëtimin e 4 gomoneve, ku udhëtonin të rritur e fëmijë.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka publikuar pamje nga aksioni i anijes shqiptare “Oriku”.

“MIRËMËNGJES, dhe me pamjet nga aksioni i Forcave tona Detare me mision në detin Egje ku falë ndërhyrjes së tyre në kohë, 140 emigrantë afganë e sirianë, 30 prej të cilëve fëmijë, kanë zbritur shëndoshë e mirë në tokë, ju uroj një ditë të mbarë”, ka shkruar Rama.

Kryeministri theksoi se “që prej vitit 2016, kur Shqipëria u bë pjesë e misionit të NATO-s në detin Egje, janë mbi 2 mijë fëmijë, gra e burra të shpëtuar nga djemtë tanë të Forcës Detare”.

Anija Oriku dhe ekuipazhi i saj janë përballur me një fluks të shtuar emigrantësh të paligjshëm gjatë patrullimit në detin Egje.