Kriza në Egje

Kriza në Egje

Kryeministrat e Greqisë dhe Turqisë, Alexis Tsipras dhe Binali Yildirim, kanë zhvilluar një bisedë telefonike rreth krizës mes dy vendeve në Detin Egje.

Biseda u zhvillua për disa ishuj të vegjël dhe të pabanuar, në afërsi të së cilëve janë grumbulluar anijet e rojës detare të të dy vendeve, pasi që si Greqia, ashtu edhe Turqia këmbëngulin se këta ishuj janë pjesë e territorit të tyre.

Mediat greke raportuan se Tsipras dhe Yildirim biseduan për provokimet nga ana e palës turke, ndërsa mediat turke raportuan të kundërtën, se është Greqia ajo që po provokon Turqinë.

Gjatë bisedës, Tsipras tha se incidenti, i cili ndodhi në afërsi të ishullit Imia, të cilin turqit e quajnë Kardak, është një ngjarje që po minon marrëdhëniet greko-turke dhe ato turko-evropianë dhe se Ankaraja po shkel të drejtën ndërkombëtare, shkruan rtv21.tv

Yildirim tha se incidenti, i cili ndodhi të hënën, kur një anije patrulluese turke bëri përpjekje që nga Imia të zmbrapsë një anije patrulluese greke, nuk është rezultat i ndonjë veprimi të qëllimshëm nga ana e palës turke.

Tsipras kërkoi që Turqia të ndërpret menjëherë provokimet dhe cenimin e ujërave territoriale dhe hapësirës ajrore të Greqisë mbi ishujt në Detin Egje, por gjatë bisedës, dy kryeministrat janë pajtuar që të vazhdojnë bisedat me qëllim të vendosjes dhe forcimit të besimit.

Ministria greke e Mbrojtjes njoftoi së nuk dëshiron të përfshihet në procesin, i cili do të shtynte Turqinë që të provokonte ndonjë incident, por qartësoi se forcat e armatosura të Greqisë janë tërësisht të gatshme që të stacionohen në rajonin e gjerë të Egjeut.

Në vitin 1996, Turqia dhe Greqia për pak sa nuk hynë në konflikt të armatosur për shkak të ishujve të kontestuar, i cili u shmang pas ndërhyrjes së Washingtonit.

Mediat greke thanë se Athinën e ka brengosur edhe deklarata të cilën javën e kaluar e bëri presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, i cili tha së vendi i tij ka forca të mjaftueshme ushtarake për të ndërmarrë aksione në të njëjtën kohë si në Siri, ashtu edhe në Egje./21Media