Në garë ishin 28 shtete nga mbarë bota

Në garë ishin 28 shtete nga mbarë bota

Ansambli Kombëtar i Këngëve dhe Valleve “Shota”, ka arritur të fitojë çmimin e dytë, në festivalin më të madh të folklorit në botë “Büyükçekmece Kulture ve Sanat Festivali” (Festivali Ndërkombëtar i Kulturës dhe Arteve), në Turqi.

Ansambli “Shota”, ka përsëritur suksesin e vitit 2013, kur po ashtu kishte fituar çmimin e dytë në këtë festival, por tani në një konkurrencë dukshëm me të fortë, duke marrë para sysh që në edicionin jubilar- të 20-të të këtij festivali, këtë çmim e ka marrë në garën ku kanë konkurruar 28 shtete nga mbarë bota.

Krahas pjesëmarrjes në garë të folklorit, Ansambli “Shota” është nderuar edhe me praninë në disa aktivitete sociale, në njërin nga të cilët (Inaugurimi i një linje detare nëpër Bosfor), me kërkesë të kryetarit të komunës, Akgun, “Shota” ishte ansambli i vetëm pjesëmarrës, i ftuar për përformancë.

Në këtë festival kanë garuar shtete me ansamble nga Rusia, Gjeorgjia, Ukraina, Bullgaria, Spanja, Serbia, Kroacia, Hungaria, Panamaja, India etj. Vendin e parë dhe çmimin “Ura e Artë” e Mimar Sinanit e kanë ndarë dy ansamble nga Rusia dhe Hungaria ndërkaq vendin e tretë e ka fituar ansambli nga Gjeorgjia. Krahas pllaketës së argjendtë, për vendin e dytë Ansambli ka marrë edhe shpërblim material në vlerë prej 2 mijë dollarësh Amerikan.

Festivali i Folklorit dhe Arteve në Buyukçekmece organizohet nën patronatin e dy organizatave më të mëdha të folklorit në botë: CIOFF dhe FIDAF, dhe kryetarit të komunës së Buyukçekmeces, Hasan Akgun. Ky festival 7 herë është shpallur festivali më i mirë i folklorit në botë.

Në hapje të festivalit kanë marrë pjesë shumë deputetë të parlamentit turk dhe kryetarët e 5 komunave më të rëndësishme të Turqisë, në mesin e të cilëve edhe Ekrem Imamogllu, kryetar i porsazgjedhur i Stambollit.

Festivali është mbajtur nga data 26 korrik deri me 3 gusht. Moto-ja e këtij edicioni ishte: “Dashuri për njëri-tjetrin, paqe për të gjithë” (Love for each-other, peace for all).