Sipas Gjocajt, hapja e akademisë do ta vazhdojë traditën e valleve dhe këngëve popullore

Sipas Gjocajt, hapja e akademisë do ta vazhdojë traditën e valleve dhe këngëve popullore

Ansambli Kombëtar i Këngëve dhe Valleve “Shota” ka hapur akademinë e të rinjve me qëllim të ruajtjes dhe vazhdimit të traditës që përcjell ky ansambël.

“Shota” tashmë ka hapur edhe konkursin për pranimin e anëtarëve të rinj, që do të jenë fëmijë të moshave nga dhjetë deri në gjashtëmbëdhjetë vjeç.

Drejtori i Ansamblit “Shota”, Shefqet Gjocaj ka treguar për Kp se shumë prej anëtarëve të këtij ansambli janë afër moshës së pensionit, e sipas tij, hapja e akademisë do ta vazhdojë traditën e valleve dhe këngëve popullore.

Po ashtu. Gjocaj ka thënë se kjo akademi do të mbulojë hendekun mes të rinjve dhe traditës së ansamblit “Shota”. Ai njëherësh është shprehur optimist se kjo akademi do të funksionojë si duhet, pavarësisht sfidave, si dhe e ka cilësuar si mundësi të mirë faktin që të rinjtë nuk kanë nevojë të paguajnë.

Ndryshe, fëmijët që do të jenë pjesë e kësaj akademie, do të ndjekin një program trevjeçar, i cili do të ofrohet pa pagesë për të rinjtë e talentuar në fushën e vallëzimit, këndimit dhe ekzekutimit të instrumenteve popullore dhe folklorike.