Edhe një sukses tjetër i ansamblit "Shota"

Edhe një sukses tjetër i ansamblit “Shota”

Ansambli Kombëtar i Këngëve dhe Valleve “Shota”, sivjet do të marrë pjesë në festivalet e mëdha të folklorit në Büyükçekmece të Turqisë dhe Seul të Koresë së Jugut. Fillimisht trupa e Ansamblit do të udhëtojë për në Turqi, më datë 25 korrik, ku nga data 26 korrik deri më 3 gusht, do të mbahet edicioni i 20-të i Festivalit Ndërkombëtar i Kulturës dhe Arteve.

Në këtë festival marrin pjesë 28 shtete, si Brazili, Kroacia, Afrika Jugore, Portugalia, Indonezia, Ukraina, Republika Çeke, Venezuela, Maqedonia e Veriut, Greqia, Qiproja, Bullgaria, Panama, India, Gjeorgjia, Rusia, Sllovakia etj.

Më vonë, nga data 25 shtator, “Shota” do të udhëtojë drejt Seulit, ku edhe në Lindjen e Largët, në Festivalin “Cheonean Folklore and Dance Festival”, do të prezantojë kulturën dhe traditën tonë.

Në mes të këtyre dy festivaleve, “Shota” ka pranuar edhe një ftesë nga komuniteti arbëresh i Horës së Arbëreshëve (Sicili), për të marrë pjesë në manifestimin tradicional “Festa e Themelimit” më 30 gusht 2019. Ky aktivitet pritet të jetë në bashkë-organizim me Ministrinë e Diasporës të Kosovës.