Anulimi i festivalit, vjen reagimi nga Sveçla i LVV-së

Është anuluar mbajtja e ”Sunny Hill Festival 2022” në Prishtinë. Krahas reagimeve të shumta nga përfaqësuesit e këtij fstivali, ka reaguar edhe Gëzim Sveçla, shef i asamblistëve të LVV-së në Prishtinë.
Sveçla ka shkruar se duhet të mirëpritet heqja dorë e ”Sunny Hill” nga insistimi për 99 vjet pronë. ”Tash çdo gjë është në rregull. Nuk ka arsye të braktiset Prishtina nga ky Festival, përveç nëse nuk është në pyetje ndonjë pazar tjetër, i mëhershëm”, ka shkruar ai.
Themeluesi dhe organizatori i Sunny Hill Festival, Dukagjin Lipa përmes një postimi në ”Facebook”, ka treguar se iu kanë adresuar letër krerëve të shtetit, mirëpo krahas gjithë përpjekjeve të tyre, sipas tij, ata janë gjetur peng i politikëbërjes në kurriz të këtij festivali.
Kryetari i komunës së Prishtinës, Përparim Rama ka reaguar pas dështimit të mbajtjes së Festivalit ”Sunny Hill” në Prishtinë. Rama e ka fajësuar Qeverinë për zvarritje, madje sipas tij, ky anulim do t’i shkaktojë dëm kryeqytetit në kulturë, turizëm, në zhvillimin ekonomik dhe në imazhin e vet të përgjithshëm. Rama ka thënë se pret nga Qeveria të reflektojë dhe Sunny Hill Festival, t’i kthehet shtëpisë së vet, Prishtinës, dinjitetshëm, ashtu siç e meriton secili qytetar i kryeqytetit.
Sunny Hill Festival përmes faqes zyrtare ka treguar se personat të cilët i kanë blerë biletat mund t’i shfrytëzojnë në Tiranë, ndërsa ata të cilët nuk kanë mundësi të jenë në Tiranë, kanë mundësi të rimbursimit të biletave, ku dritarja e rimbursimit do të hapet nga 1 korriku deri më 15 korrik./21Media

Back to top button